

Një agjent imobiliar në Angli është dënuar me 8 vite e 4 muaj burg, pasi përdori biznesin e tij për t’i siguruar një rrjeti kriminal prona që përshtateshin për kultivimin e kanabisit. Në këtë rrjet kriminal ishin të përfshirë edhe shtetas shqiptarë.
Drejtori i agjencisë imobiliare “Condor Estates”, Sarfraz Farooq, 46 vjeç, shfrytëzonte aktivitetin e tij tregtar për të siguruar ambiente dhe për të hartuar kontrata të falsifikuara qiraje në zonat e Luton dhe Milton Keynes. Hetimet e policisë britanike, të zhvilluara në kuadër të operacionit “Costello”, çuan në kontrollin e 20 pronave gjatë vitit 2024, ku në 19 prej tyre u zbuluan shtëpi bari dhe u sekuestruan rreth 2,000 bimë kanabisi me vlerë deri në 800,000 paund.
Sipas autoriteteve britanike, prodhimi i plotë i këtyre ambienteve kishte kapacitet të gjeneronte mbi 2 milionë paund në vit. Skema funksiononte përmes dokumenteve të falsifikuara që u paraqiteshin pronarëve realë për të mbuluar aktivitetin e paligjshëm.
Mes personave të dënuar është edhe shtetasi shqiptar Uan Gogu, 42 vjeç, i cili u dënua me 6 vite e 6 muaj burg për rolin e tij në përshtatjen e ambienteve, instalimin e pajisjeve hidroponike dhe ndërhyrjen e paligjshme në matësit e energjisë elektrike. Këto lidhje të jashtëligjshme shkaktuan edhe zjarre në tri prej banesave të përdorura nga rrjeti.
Personat e tjerë të përfshirë në këtë strukturë kriminale morën dënime më të lehta ose me kusht, ndërsa hetimet zbuluan edhe episode të pastrimit të parave përmes blerjes së pronave me para në dorë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






