

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar përbërjen e qeverisë së re të kryesuar nga Albin Kurti me 62 vota për, tetë kundër dhe asnjë abstenim, gjatë një seance ku partitë kryesore të opozitës refuzuan të merrnin pjesë.
Në sallën plenare ishin të pranishëm vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Listës Serbe, ndërsa përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së braktisën seancën. Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se do ta dërgojë çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe votimit të qeverisë në Gjykatën Kushtetuese.
Gjatë fjalës së tij përpara votëbesimit, Kryeministri Albin Kurti mbrojti luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke e cilësuar të padrejtë procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të saj në Hagë. Kurti paraqiti gjithashtu prioritetet ekonomike e sociale të mandatit të ri, ku përfshihen rritja e pagës mesatare në sektorin privat në 1,000 euro, profilizimi i universiteteve, si dhe mbulimi falas i një sërë shërbimeve shëndetësore.
Kabineti i ri qeveritar përbëhet nga një strukturë e zgjeruar me 20 ministri dhe tri poste zëvendëskryeministrash.
Në krye të dikastereve kryesore janë vendosur:
Glauk Konjufca – Zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës
Donika Gërvalla – Zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Drejtësisë
Fikrim Damka – Zëvendëskryeministër i tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim
Hekuran Murati – Ministër i Financave
Andin Hoti – Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare
Ejup Maqedonci – Ministër i Mbrojtjes
Xhelal Sveçla – Ministër i Punëve të Brendshme
Lulëzon Jagxhiu – Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit
Arben Vitia – Ministër i Shëndetësisë
Hajrulla Çeku – Ministër i Arsimit dhe Shkencës
Saranda Bogujevci – Ministre e Kulturës dhe Turizmit
Blerim Gashani – Ministër i Sportit dhe Rinisë
Elbert Krasniqi – Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal
Fitore Pacolli – Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor
Armend Muja – Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural
Dimal Basha – Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit
Mimoza Kusari-Lila – Ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë
Artane Rizvanolli – Ministre e Ekonomisë
Nenad Rashiç – Ministër për Komunitete dhe Kthim
Rasim Demiri – Ministër për Zhvillim Rajonal
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






