

BERAT – Takimi i Kryeministrit Edi Rama në Berat, ku po diskutohet Reforma Territoriale, është shoqëruar me debate dhe tensione mes përfaqësuesve të Poliçanit dhe kreut të qeverisë.
Dëgjesa, e zhvilluar në ambientet e një hoteli në Berat, kishte në fokus problematikat dhe propozimet që lidhen me organizimin territorial të vendit. Në mesin e përfaqësuesve të ardhur nga Poliçani ishte edhe aktorja Egla Ceno.
Takimi nisi me prezantimin e ministrit të Pushtetit Vendor, Ervin Demo. Pas përfundimit të fjalës së tij, përfaqësuesit e Poliçanit kërkuan të merrnin fjalën për të paraqitur shqetësimet dhe problematikat e zonës.
Gjatë diskutimit, situata u tensionua pas një reagimi të Kryeministrit Rama ndaj pjesëmarrësve. Debati vijoi më pas edhe me kryebashkiakun e Poliçanit, Adriatik Zotkaj, si dhe me aktoren Egla Ceno, e cila ishte pjesë e grupit të përfaqësuesve nga qyteti.
Përplasja verbale solli tensione në sallë, ndërsa përfaqësuesit e Poliçanit vendosën të ndërpresin pjesëmarrjen në dëgjesë.
Ata u larguan nga salla në shenjë proteste, duke e lënë takimin për Reformën Territoriale pa pjesëmarrjen e delegacionit nga Poliçani.
Ngjarja vjen në kuadër të konsultimeve që qeveria po zhvillon me përfaqësues vendorë dhe qytetarë për ndryshimet e mundshme në hartën administrative të vendit. Reforma Territoriale pritet të vijojë të diskutohet në takime të tjera me përfaqësues të bashkive dhe komuniteteve lokale.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






