

SHKODËR – Detaje të reja janë zbardhur nga shpërthimi me lëndë plasëse që tronditi mbrëmjen e 12 shtatorit qendrën e Shkodrës, në oborrin e banesës së shtetasit Mehdin Bushati.
Sipas burimeve, autori i dyshuar është afruar i vetëm pranë banesës me një motor të përshtatur për shpërndarjen e picave. Ai dyshohet se ishte maskuar si picajol dhe mbante skafandër në kokë, duke e bërë më të vështirë identifikimin e tij.
Pasi ka hedhur lëndën plasëse në oborrin e banesës, autori është larguar me shpejtësi në drejtim të paditur.
Nga shpërthimi nuk pati persona të lënduar, ndërsa u shkaktuan vetëm dëme materiale. Në momentin e ngjarjes, Mehdin Bushati, me profesion mësues, ndodhej në banesë së bashku me bashkëshorten.
Para grupit hetimor, Bushati ka deklaruar se nuk ka dijeni për motivet e sulmit dhe nuk ka mundur të japë një shpjegim për ngjarjen.
Dyshimet për një mesazh kërcënues Një prej pistave kryesore që po hetohet është se shpërthimi mund të ketë qenë një mesazh kërcënues ndaj vëllait të tij, Gëzim Bushati, i njohur edhe si Naser Bushati.
Sipas burimeve, Gëzim alias Naser Bushati prej vitesh jeton në Gjermani dhe dyshohet se ka qenë për herë të fundit në Shqipëri rreth dy ose tre vite më parë.
Në katin e parë të ndërtesës jeton Mehdin Bushati, ndërsa kati i dytë i përket vëllait të tij.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se Gëzim alias Naser Bushati rezulton të jetë dënuar më herët në Gjermani dhe Rumani, me dënime përkatësisht pesë dhe dy vite burg.
Pikërisht për shkak të problemeve që ai dyshohet se ka pasur jashtë vendit, hetuesit po analizojnë mundësinë që sulmi të jetë kryer për t’i përcjellë një mesazh kërcënues.
Një tjetër pistë që po hetohet është ajo se autori mund të ketë qenë i paguar për kryerjen e sulmit.
Kamerat e sigurisë, në fokus të hetimit Autori ende nuk është identifikuar. Grupi hetimor po analizon pamjet e kamerave të sigurisë në zonën përreth, me qëllim rindërtimin e lëvizjeve të tij para dhe pas shpërthimit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30, ndërsa shpërthimi u dëgjua fuqishëm në qendër të qytetit, duke shkaktuar panik te banorët dhe turistët.
Në afërsi të vendit të ngjarjes, vetëm pak metra larg, në sheshin përpara Bashkisë Shkodër, po zhvillohej një aktivitet me muzikë dhe lojëra për fëmijë e familje.
Fatmirësisht, pavarësisht afërsisë me zonën e aktivitetit, shpërthimi nuk shkaktoi të lënduar.
Policia, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërsa po punohet për të zbardhur motivin e saktë të vendosjes së lëndës plasëse dhe nëse sulmi ka qenë i lidhur drejtpërdrejt me Gëzim alias Naser Bushatin.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






