Transmetuar më 13-09-2026, 14:18

Një 26-vjeçar nga Peqini u arrestua pasi dyshohet se kanosi për vrasje një 35-vjeçar. Në banesë u gjetën një kallashnikov dhe municion luftarak. Në pranga edhe një 21-vjeçar për moskallëzim krimi.

RROGOZHINË – Një konflikt që mund të përfundonte me pasoja të rënda për jetën është parandaluar nga Policia në Rrogozhinë, në kuadër të operacionit të koduar “Prevent 2”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Rrogozhinë, ndërhynë pas marrjes së informacionit se një person po kërcënonte me armë zjarri një 35-vjeçar.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 të datës 13 shtator 2026. Sipas Policisë, 26-vjeçari me inicialet A. I., banues në Peqin, dyshohet se për motive të dobëta ka kanosur për vrasje shtetasin A. S., 35 vjeç, banues në Tiranë.

Pas marrjes së informacionit, shërbimet policore lokalizuan banesën ku ndodheshin 26-vjeçari dhe O. T., 21 vjeç, gjithashtu banues në Peqin.

Gjatë kontrollit në banesë, Policia gjeti dhe sekuestroi si prova materiale një armë zjarri tip kallashnikov dhe municion luftarak.

26-vjeçari A. I. u arrestua për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Kanosja”.

Ndërkohë, 21-vjeçari O. T. u arrestua për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Sipas të dhënave të Policisë, konflikti dyshohet se nisi kur 35-vjeçari po shkonte në banesën e një 36-vjeçareje në Rrogozhinë, ku ndodheshin dy të arrestuarit.

Në vijim të veprimeve procedurale dhe pas konsultimit me Prokurorin, ndaj 36-vjeçares, e cila nuk ndodhej në banesë në momentin e konfliktit, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Arma e zjarrit dhe municioni i sekuestruar do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme kriminalistike, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.

Policia e cilëson operacionin si një ndërhyrje parandaluese që shmangu përshkallëzimin e konfliktit dhe pasojat e mundshme për jetën e personave të përfshirë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit