Transmetuar më 13-09-2026, 13:40

KIEV – VARSHAVË – Një sulm me dronë rusë ka goditur të dielën një zonë pranë kufirit Ukrainë-Poloni, duke prekur edhe një tren pasagjerësh që udhëtonte nga Kievi drejt Varshavës.

Sipas operatorit shtetëror ukrainas të hekurudhave, një nga goditjet ka prekur lokomotivën e trenit, i cili ndodhej rreth dy kilometra larg kufirit me Poloninë, në rajonin e Volynit.

Ekuipazhi i trenit ishte paralajmëruar paraprakisht për rrezikun nga autoritetet ukrainase. Sipas kompanisë hekurudhore, nga incidenti nuk pati persona të lënduar.

Ndërkohë, pamje të publikuara në rrjetet sociale treguan një zjarr të madh në një pikë karburanti pranë pikës kufitare Yahodyn-Dorohusk, në kufirin mes Ukrainës dhe Polonisë. Mediat lokale raportuan se deri tani nuk ka të dhëna për viktima nga zjarri.

Sybiha: Rusia po troket në dyert e BE-së dhe NATO-s Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, reagoi ndaj sulmeve duke deklaruar se Rusia po “trokas drejtpërdrejt në dyert e BE-së dhe NATO-s”.

Ai u bëri thirrje aleatëve të Ukrainës që të forcojnë sanksionet ndaj Rusisë dhe regjimit të presidentit Vladimir Putin.

Sulmi pranë kufirit me një vend anëtar të Bashkimit Evropian dhe NATO-s rikthen shqetësimet për përhapjen e pasojave të luftës përtej territorit ukrainas.

Zhvillimet e fundit kanë shtuar gjithashtu vëmendjen ndaj kërcënimeve hibride dhe incidenteve me dronë në vende të ndryshme evropiane.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar më herët për shtimin e kërcënimeve që lidhen me atë që ajo e ka cilësuar si “luftë hibride” nga Rusia.

Në Evropë janë raportuar edhe incidente të tjera të lidhura me dronë, përfshirë zbulimin e një droni të dyshuar të pajisur me eksploziv pranë aeroportit të Leipzigut në Gjermani, si dhe raste të tjera të hetuara nga autoritetet evropiane.

Goditja e trenit pranë kufirit Ukrainë-Poloni vjen në një moment kur lufta në Ukrainë vazhdon të rrisë tensionet në krahun lindor të Evropës, ndërsa vendet e NATO-s po forcojnë masat e sigurisë përgjatë kufijve të tyre.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit