

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me përplasjen për pagat e magjistratëve, duke deklaruar se atmosfera e krijuar nga kjo çështje është tepër shqetësuese dhe se pavarësia e sistemit të drejtësisë po rrëshqet në papërgjegjshmëri.
Kreu i qeverisë kritikoi dy organet qeverisëse të sistemit, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, duke i cilësuar si trupa të mbingarkuara me shpenzime e paga, por me një produktivitet që lë për të dëshiruar.
Rama theksoi se zanafilla e konfliktit është vendimi i njëanshëm i marrë në mes të verës nga këto institucione për rritjen e pagave, pa ezauruar më parë asnjë rrugë tjetër ligjore apo dialogun me pushtetin ekzekutiv.
“Dy shëmbëlltyrat e anës së errët të medaljes së reformës në drejtësi, dy trupa të mbingarkuara me njerëz, paga, shpenzime, por me një produktivitet që lë shumë për të dëshiruar në aspektin e misionit që kanë si trupa qeverisëse të sistemit të drejtësisë që është i pavarur, jo më në letër, por në realitetin faktik të Shqipërisë ku pavarësia aq sa ka sjellë të mira, aq edhe ka sjellë sfidën e madhe të rrëshqitjes në papërgjegjshmëri, por nuk dua të hyj në këtë temë. Është temë komplekse, është e duhura, koha në dispozicion për të transformuar rrënjësisht dhe ngritur një sistem drejtësie, ka qenë e shkurtër sepse këto janë ndryshime epokale dhe ky ndryshim epokal ka nisur.
Dua të them vetëm sesa shqetësuese, sa e shëmtuar, sa vulgare është atmosfera e krijuar nga një konflikt pushtetesh dhe nga një barrikadim i atij pushteti të pavarur, kushtetues që duhet të garantojë barazinë para ligjit për të gjithë e mbi të gjitha mbi vetveten, e mbi të gjitha përtej gërmës së ligjit të garantojë një shembull. Kur vjen puna që del nga salla e gjyqit dhe është i organizuar në shoqata për t’i dhënë zë shqetësimeve të trupës në publik. Këtu flasim për një tjetër dimension dhe është i rëndësishëm për shembullin që jepet. Janë një palë që kanë këtë interes.
Dua ta nis aty ku e fillova, te këto dy trupa këshillash, dy maja, një majë me dy trupa të piramidës së gjyqësorit. Këta burra dhe gra që paguhen jo pak dhe që janë aty për të administruar punët e gjyqësorit, jo për të bërë drejtësi, për të administruar proceset që deri dje i administronte kuvendi, politika dhe tani janë në pavarësinë e tyre të plotë. Si mundet që gjëja e parë që bëmë u kuturisëm të marrim një vendim në mes të verës dhe të nxjerrim një urdhër që është zanafilla e këtij konflikti, pagat janë këto dhe Thesari i Shtetit të hapë derën. Le të themi se kanë të drejtë, por le të themi, kjo është mënyra, rruga, shembulli, këtë ju mësojmë ne, të tërë së bashku, njerëzit e drejtësisë, qytetarëve shqiptarë? Kështu kërkohet e drejta? Në mënyrë të njëanshme? Pa ezauruar asnjë nga hapat e tjerë? ne jemi përfaqësues apo 3 shtete në konflikt? Çfarë është Shqipëria? Çfarë janë këto pushtete? Çfarë ndodh këtu? Si është e mundur që nuk hidhet hapi i parë normal? Kërkohet një kontakt, ulet njeriu në tavolinë, njerëzit që jetojnë me përgjegjësinë e një shteti”, shprehet kryeministri.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






