Transmetuar më 13-09-2026, 11:44

Fieri, Vlora, Korça dhe Tirana janë katër qytetet ku qeveria synon të hapë universitete të reja. Projekti i Fierit parashikohet të ketë karakter ndërkombëtar dhe të lidhet me Spitalin Memorial

Tiranë – Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur planin për hapjen e katër universiteteve të reja në vend, të cilat pritet të ngrihen në Fier, Vlorë, Korçë dhe Tiranë, me profile të ndryshme. Në këtë mënyrë duket se po bëhet një dublim i universiteteve ekzistuese në Tiranë, Vlorë dhe Korçë, ndërsa hapet për herë të parë një universitet në Fier.

Duke folur në podcastin “Flasim”, Rama tha sot se projekti më i avancuar është ai për Universitetin e Mjekësisë në Fier, i cili synohet të ketë karakter ndërkombëtar dhe të lidhet drejtpërdrejt me Spitalin Memorial.

Sipas kryeministrit, qeveria është pranë nënshkrimit të një marrëveshjeje me një prej rrjeteve të mëdha universitare me qendër në Londër.

“Universiteti mjekësor i Fierit do të jetë ndërkombëtar, me reputacion ndërkombëtar, me studentë shqiptarë dhe nga e gjithë bota”, tha Rama.

Ai shpjegoi se shteti shqiptar do të vendosë në dispozicion infrastrukturën, ndërsa partneri ndërkombëtar do të sjellë pedagogët. Në projekt parashikohet edhe përfshirja e pedagogëve shqiptarë që jetojnë brenda dhe jashtë vendit.

Rama tha se ky projekt do të krijojë mundësinë që Spitali Memorial i Fierit të kthehet në spital universitar. Sipas tij, është hartuar tashmë një studim paraprak fizibiliteti dhe po pritet versioni përfundimtar.

Një tjetër universitet i madh parashikohet të hapet në Vlorë. Kryeministri tha se ai do të jetë universitet i përgjithshëm dhe më i madhi mes katër institucioneve të planifikuara.

Synimi, sipas Ramës, është që universiteti të vendoset në qendër të Vlorës, pranë Sheshit të Flamurit, duke sjellë edhe një dinamikë të re për qytetin.

Në Korçë parashikohet një universitet i përqendruar te teknologjia dhe Inteligjenca Artificiale, ndërsa në Tiranë synohet ngritja e një universiteti tjetër të përgjithshëm.

“Është një plan ambicioz. Janë katër universitete”, tha Rama, duke renditur projektet për Fierin, Vlorën, Korçën dhe Tiranën.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit