Transmetuar më 13-09-2026, 10:20

Breshëri me armë ndaj makinës së një familjeje në Mat, gjenden rreth 30 gëzhoja/ Autorët dyshohet se dogjën mjetin e përdorur në sulm

Sulmi ndodhi në Urakë të Matit. Nuk pati të lënduar, ndërsa rreth 2 kilometra larg u gjet i djegur mjeti që dyshohet se përdorën autorët, me dy kallashnikovë brenda

Mat – Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e 12 shtatorit në fshatin Urakë, në Njësinë Administrative Rukaj të Bashkisë Mat, ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti të parkuar në oborrin e një banese.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:10. Në shënjestër ka qenë një automjet tip “Audi”, në pronësi të shtetases S. Ll., bashkëshortja e A. Ll., raporton noa.al duke cituar policinë lokale.

Sipas të dhënave të deritanishme, familja ishte kthyer së fundmi nga Italia. Nga breshëria e armëve nuk ka pasur persona të lënduar, ndërsa automjeti ka pësuar dëmtime të shumta.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur rreth 30 gëzhoja, çka tregon se ndaj makinës është qëlluar disa herë.

Pas sulmit, autorët janë larguar nga zona.

Gjatë kontrolleve, rreth 2 kilometra larg vendit të ngjarjes, në aksin rrugor Rrëshen-Burrel, është gjetur i djegur një automjet tip “Golf V”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët.

Brenda mjetit të djegur janë gjetur edhe dy armë zjarri kallashnikov, pjesërisht të djegura, të cilat janë sekuestruar për ekzaminime të mëtejshme.

Nga verifikimet ka rezultuar se “Golfi” ishte shpallur në kërkim që më 31 korrik 2025. Pronari i tij, K. R., banues në Përrenjas, kishte denoncuar në atë kohë vjedhjen e automjetit.

Nuk dihet ende motivi i sulmit dhe nëse familja e shënjestruar ka pasur konflikte të mëparshme.

Kontrollet vijojnë në zonë, ndërsa po bashkëpunohet edhe me strukturat e policisë në Tiranë, Lezhë dhe Kukës për identifikimin dhe kapjen e autorëve. /noa.al

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit