Transmetuar më 13-09-2026, 09:49

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me kërkesat e sistemit të drejtësisë për rritjen e pagave, duke refuzuar pretendimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Përmes një krahasimi të shifrave me vendet e rajonit, kreu i qeverisë bëri të ditur se një gjykatës fillestar në Shqipëri paguhet aktualisht 500 euro më shumë se një koleg në Greqi dhe dukshëm më shumë se në Malin e Zi.

"Një gjykatës fillestar sot në Shqipëri merr 500 Euro pagë më të lartë se sa kolegu në Greqi dhe me vendimin e marrë vetë Zot vetë Shkop, paga duhet të rritet 2000 Euro më shumë në muaj se sa kolegu grek dhe 3000 Euro më shumë se sa kolegu në Malin e Zi…", shkruan Rama.

Sipas të dhënave të publikuara nga ekzekutivi, gjyqtarët shqiptarë me një pagë mesatare prej 3,241 eurosh në muaj renditen të dytët në rajon pas Rumanisë, duke lënë pas vende si Sllovenia me 2,842 euro, Greqia me 2,702 euro dhe Mali i Zi me 1,958 euro.

Megjithatë tabela tregon pagat e 2026 të Shqipërisë dhe të vitit 2022 për vendet e tjera.

Qeveria e konsideron të papranueshme kërkesën për rritjen e mëtejshme të këtij niveli pagese përmes vendimeve të marra nga vetë organet e drejtësisë.

Përplasja mes pushteteve u thellua pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit të 31 korrikut formulën e re të pagave sipas orientimit të Gjykatës Kushtetuese. Pas kësaj, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosën të zbatonin një pagë bazë prej 222,425 lekësh plus shtesat e kualifikimit, por Ministria e Financave ka bllokuar ekzekutimin e listëpagesave me argumentin se ndryshimet pagave mund të bëhen vetëm me ligj nga Kuvendi.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit