

Krijuesi amerikan i përmbajtjes Kalani Smith, i njohur gjerësisht në rrjetet sociale si “Kalani Ghost Hunter” me mbi 4 milionë ndjekës, ka zhvilluar një vizitë në Shqipëri ku ka eksploruar zonat malore, bregdetin dhe gastronominë vendase. Në një intervistë për revistën “Monitor”, blogeri nga Nashville tregoi se mbërriti në Shqipëri me njohuri të kufizuara të bazuara te e kaluara komuniste dhe referencat nga pop-kultura si filmi "Taken", por u largua me përshtypje të jashtëzakonshme për sigurinë dhe mikpritjen.
Gjatë udhëtimit të tij, zonat malore dhe veçanërisht Thethi i tejkaluan pritshmëritë e tij, duke lënë mbresë më të madhe se plazhet e Rivierës së Jugut. Përmbajtja e tij më e suksesshme në TikTok ishte një përvojë gastronomike “nga ferma në tryezë”, e cila nxiti interesin e mijëra ndjekësve ndërkombëtarë për ta përfshirë Shqipërinë në listat e tyre të udhëtimit.
Lidhur me përceptimin e tij për sigurinë dhe natyrën e popullsisë vendase, Kalani Smith deklaroi: “Do të thosha se njerëzit janë të thjeshtë, të mirë dhe të sinqertë, vendi është jashtëzakonisht i përballueshëm dhe ia vlen absolutisht të vizitohet. Të mësosh për historinë e Shqipërisë, nga qytetërimet e lashta deri tek e kaluara e saj komuniste, ishte një pjesë vërtet me vlerë e udhëtimit. Perceptimi më i madh i gabuar që do të doja të korrigjoja është ideja se Shqipëria nuk është e sigurt. Nuk u ndjeva as edhe një herë i pasigurt dhe përvojat e mia me njerëzit ishin pozitive”.
Ndërsa vlerësoi çmimet e arsyshme të ushqimit dhe akomodimit në bujtina, krijuesi amerikan veçoi çmimin e lartë të karburantit si surprizën kryesore negative, si dhe nënvizoi nevojën për investime të mëtejshme në rrugë, transport publik dhe infrastrukturën rrugore për të përballuar rritjen e shpejtë të turizmit masiv.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






