Transmetuar më 12-09-2026, 22:53

Deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj, ka shprehur kundërshtinë e tij ndaj propozimeve për reformën e re territoriale gjatë një mbledhjeje të zhvilluar me kryeministrin Edi Rama. Sinaj u shpreh hapur kundër mundësisë së shkrirjes së Bashkisë Selenicë dhe bashkimit të saj me Bashkinë e Vlorës.

Sipas deputetit socialist, Bashkia e Vlorës vuan aktualisht nga probleme menaxhimi dhe nuk arrin të mbulojë as nevojat bazë të njësive administrative që ka nën juridiksion, e jo më të marrë në ngarkim një tjetër bashki.

Lidhur me situatën në terren dhe mungesën e investimeve lokale, deputeti Vullnet Sinaj deklaroi: “Bashkia Vlorë nuk mbulon dot njësitë administrative, jo më të mbulojë Bashkinë Selenicë. Asnjë njësi administrative nuk ka bërë investime për zonën. Njësia Novoselë s’ka pastruar asnjë kanal, ndërsa Njësia Qendër nuk ka shtruar rrugë”.

Sinaj kërkoi që Bashkia Selenicë të vijojë të funksionojë si njësi më vete administrative. Ai nënvizoi se përpara se të merret ndonjë vendim për ndryshimin e hartës territoriale, duhet të vlerësohet me kujdes nëse bashkitë ekzistuese po i përmbushin realisht nevojat e qytetarëve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit