

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me arrestimin e Lulzim Cakës gjatë aksionit të policisë greke në Athinë. Pas prangosjes së tij si drejtues i një grupi të trafikimit të lëndëve narkotike, autoritetet kanë ushtruar kontroll në banesë ku kanë sekuestruar dy milionë euro cash, lëndë narkotike dhe sende me vlerë.
Caka, i njohur ndryshe si “Lul Caka”, përbën një nga emrat më të njohur të kronikës së zezë në Shqipëri gjatë viteve ’90. Veprimtaria e tij kriminale ka qenë e përqendruar kryesisht në boshtin Berat-Fier-Lushnjë gjatë trazirave të vitit 1997.
Në historikun e tij gjyqësor, ai rezulton i dënuar për vrasjen e Pëllumb Eminit, ngjarje e ndodhur më 21 korrik 1997 në Lushnjë. Po ashtu, Caka është dënuar edhe për sulmin me armë ndaj dy drejtuesve të policisë, Gani Malushi dhe Ilir Ngresi, ngjarje e regjistruar në mars të vitit 1998.
Për këto episode kriminale, përfshirë tentativën e vrasjes së zyrtarëve të policisë dhe armëmbajtjen pa leje, ndaj tij u vendos një dënim përfundimtar prej 25 vitesh burgim, i cili u la në fuqi nga Gjykata e Apelit pavarësisht pretendimeve të tij mohuese.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






