Transmetuar më 12-09-2026, 20:05

Mijëra qytetarë u mblodhën të premten në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për të marrë pjesë në “Marshin për Liri”, një tubim masiv në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Aktiviteti i organizuar nga iniciativa “Liria ka emër” u zhvillua në prag të shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, vendim i cili pritet të merret më 16 shtator.

Në tubim morën pjesë qytetarë nga të gjitha komunat e Kosovës, si dhe bashkëatdhetarë të ardhur nga Shqipëria dhe diaspora. Mes pjesëmarrësve ishte edhe djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, Endrit Thaçi, i cili mbërriti në shesh i shoqëruar nga deputeti i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla.

Marshimit i janë bashkuar edhe drejtues e përfaqësues të subjekteve politike nga Kosova e rajoni, përfshirë krerët e PDK-së, AAK-së, kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti, si dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arton Konushevci, Adnan Rrustemi, Valon Hoti dhe Salih Zyba.

Për të garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit, Policia e Kosovës ndërmori masa të veçanta duke bllokuar përkohësisht akset rrugore “Agim Ramadani”, “Luan Haradinaj” dhe “Enver Zymberi”. Organizatorët dhe autoritetet lokale siguruan transport falas për qytetarët, ndërsa parkingjet dhe transporti publik në Prishtinë u ofruan pa pagesë gjatë tërë ditës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit