

Hetimet e Prokurorisë së Korçës mbi hyrjen e modeles kosovare Ziza Pajaziti në Burgun e Sigurisë së Lartë në Drenovë (më 12 dhe 13 qershor 2025) kanë vënë në fokus dëshmitë e protagonistëve, për shkak se pamjet filmike të serverit të sigurisë nuk u gjendën. Çështja lidhet me hetimin ndaj gardianit Perent Lëngu dhe ish-shefit të Policisë së Burgut, Sokol Koçelli.
Më poshtë janë dëshmitë e plota të dhëna nga personat e përfshirë gjatë marrjes në pyetje:
Dëshmia e Ziza Pajazitit:
“…aktualisht jam e punësuar pranë “Ëell Farmaci”, në pozicionin e menaxheres së marketingut në qytetin e Prishtinës, Kosovë. Kjo është puna ime e dytë, pasi punën kryesore e kam modelingun. Në lidhje me ngjarjen për të cilën jam paraqitur dhe po jap shpjegimet e mia, pra takimet që kam zhvilluar me të dënuarin Laert Haxhiu në datat 12 qershor 2025 dhe 13 qershor 2025, ditën e enjte dhe ditën e premte, dua të sqaroj se unë dhe Laert Haxhiu kemi pasur një marrëdhënie të qëndrueshme bashkëjetese. Këtë marrëdhënie e kemi formalizuar me dokumente, konkretisht me Marrëveshjen e Bashkëjetesës, të lidhur para noterit Bledar Zake në datën 6 tetor 2025.
Në datën 12 qershor 2025 kam shkuar për të takuar bashkëjetuesin tim në burgun e Drenovës. Pasi jam paraqitur në hyrje, në postobllok, më kanë pyetur se kë do të takoja dhe unë kam dhënë emrin e bashkëjetuesit tim, Laert Haxhiu. Pas kësaj më kanë pajisur me një fletë të vogël, të cilën nuk e kam lexuar për të parë se çfarë përmbante. Kam lënë sendet personale në kasafortat e sigurisë dhe më pas kam vazhduar drejt një godine në brendësi të burgut, ku iu nënshtrova kontrollit personal…
…atje jam shoqëruar nga një punonjës policie dhe, më pas, në të njëjtën dhomë është shoqëruar edhe bashkëjetuesi im, Laert Haxhiu, me të cilin kam zhvilluar një takim normal familjar. Atë ditë kam qëndruar në qytetin e Korçës dhe të nesërmen, pra në datën 13 qershor 2025, kam shkuar përsëri në burgun e Drenovës. Kam ndjekur të njëjtën procedurë që shpjegova më sipër dhe, edhe këtë herë, në postobllok kam dhënë emrin e Laert Haxhiut. Unë nuk dija asnjë emër tjetër të ndonjë personi të dënuar dhe dua të theksoj se jam plotësisht e sigurt se nuk kam dhënë asnjë emër tjetër përveç emrit të Laert Haxhiut.
Nuk e di se çfarë lapsusi mund të ketë ndodhur, siç kam lexuar më pas në media. Më pas kam vazhduar procedurën e kontrollit dhe të hyrjes në dhomën e takimeve, ku edhe këtë herë jam shoqëruar në një dhomë me tavolinë dhe karrige, ku kemi zhvilluar një takim të zakonshëm dhe jo takim special, siç është shkruar në media, gjë që më ka habitur shumë. Pasi kam qëndruar për një kohë, të cilën nuk e mbaj mend, kam dalë nga ambientet e Burgut të Drenovës dhe jam larguar…”
Dëshmia e Laert Haxhiut:
“…në lidhje me rrethanat se si ka hyrë Ziza Pajaziti për të më takuar mua, unë nuk di asgjë për procedurat që ndjek administrata e burgut në raste të tilla. Në dijeninë time, kjo shtetase, në datat për të cilat po më pyesni, ka hyrë normalisht, ashtu si çdo shtetas apo shtetase tjetër që zhvillon takime me familjarët. Mua nuk më ka kontaktuar paraprakisht asnjë punonjës i burgut, por vetëm më kanë shoqëruar në këto dy data për të realizuar takimin.
Dua të sqaroj se, në të dyja këto data, kam hyrë në takim, pasi më është njoftuar se kisha takim dhe më kanë shoqëruar për zhvillimin e tij. Në të dyja këto raste, takimet e zhvilluara prej meje kanë qenë takime të zakonshme, pra në një dhomë me tavolinë dhe karrige, dhe jo takime speciale, pra takime të parashikuara për bashkëshortët ose bashkëjetuesit. Nuk e mbaj mend nëse dhomat kanë qenë të pajisura me kamera apo jo, pasi mbaj mend se në atë periudhë dhomat ishin duke u rikonstruktuar, konkretisht po lyheshin…
…dua të theksoj se çdo gjë ka qenë e zakonshme dhe kam zhvilluar vetëm takime normale me Ziza Pajazitin, e cila aktualisht është bashkëjetuesja ime, me deklaratë noteriale të rregullt, dhe me të cilën kam pasur një marrëdhënie të hershme njohjeje dhe bashkëjetese…”
Dëshmia e Vladimir Kurtit:
“…modelen kosovare Ziza Pajaziti nuk e njoh dhe nuk kam realizuar asnjë takim me këtë shtetase. Gjithashtu, nuk kam kërkuar takim me të. Deklaroj se kam rreth 4 muaj që nuk zhvilloj takime familjare…”
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






