

Mal i Zi, 12 shtator 2026 – Ministri i Administratës Publike në Malin e Zi, Marash Dukaj, ka reaguar pas pretendimeve të disa shqiptarëve të diasporës se janë ndaluar nga autoritetet malazeze teksa udhëtonin drejt Tiranës për të marrë pjesë në protestën kundër qeverisë së Edi Ramës.
Sipas një prej udhëtarëve, i cili foli për News24, autokolona është ndaluar për rreth katër orë në pikën kufitare në Nikshiq, pa marrë, sipas tij, një shpjegim të qartë për arsyen e ndalimit. Ai pretendoi gjithashtu se efektivët malazezë u kishin kërkuar disa prej udhëtarëve të hiqnin flamujt shqiptarë dhe simbolet kombëtare nga automjetet.
Pas këtyre deklaratave, Dukaj ka kritikuar trajtimin e flamurit shqiptar si një element kërcënues dhe ka kërkuar që ligji të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët.
“Flamuri shqiptar nuk është kërcënim – ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë”, shkroi ministri në rrjetet sociale, duke theksuar se Mali i Zi, si një shtet demokratik dhe evropian, duhet të garantojë standarde të njëjta për të gjithë.
Dukaj, i cili është me origjinë shqiptare, shprehet se nuk duhet të ketë standarde të dyfishta në trajtimin e simboleve kombëtare shqiptare nga Policia malazeze.
Sipas tij, raste të ndërhyrjeve për shkak të përdorimit të flamurit shqiptar janë evidentuar edhe gjatë muajve të verës, në aktivitete familjare dhe festive.
“Flamujt shqiptarë nuk duhet të trajtohen si kërcënim. Përkundrazi, qytetarët që i mbajnë duhet të respektohen”, shprehet ministri, duke kërkuar respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Malin e Zi.
Dukaj ka rikujtuar gjithashtu se përdorimi i simboleve kombëtare shqiptare në Malin e Zi është i parashikuar në kuadrin ligjor të vendit. Ai përmendi edhe dorëzimin e simboleve kombëtare të shqiptarëve te Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi në vitin 2021.
Më 28 janar 2021, përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, sipas deklaratës së ministrit, i dorëzuan Kryetarit të Kuvendit etalonet e stemës dhe flamurit, si dhe partiturën e himnit të shqiptarëve në Malin e Zi.
Ndërkohë, rrethanat e plota të ndalimit të autokolonës dhe arsyet e ndërhyrjes së autoriteteve malazeze mbeten për t’u sqaruar nga institucionet përkatëse. Reagimi i plotë:
Flamuri shqiptar nuk është kërcënim – ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. Mali i Zi, si shtet demokratik dhe evropian, duhet të ketë të njëjtat standarde për të gjithë. Ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë.
Nuk është mirë që të vazhdojnë standardet e dyfishta ndaj flamurit shqiptar nga ana e Policisë. Nuk ka pse të kenë frikë nga flamujt shqiptarë. Përkundrazi, duhet të respektohen qytetarët që e mbajnë atë.
Kemi qenë dëshmitarë të ndërhyrjeve edhe gjatë verës për shkak të flamurit shqiptar në dasma dhe festa, ndërsa mbrëmë ndërhyrja ishte ndaj diasporës shqiptare në pikën kufitare me Bosnjë-Hercegovinën. Ata kanë kaluar nëpër gjithë Evropën dhe vetëm policisë sonë (pra Policisë së Malit të Zi), i ka penguar flamuri shqiptar!
Në vend të përpjekjeve të tilla, bëj thirrje që të diskutojmë për rregulla më të mira dhe për respektimin e vazhdueshëm të asaj që u takon të gjithë popujve në Mal të Zi.
Dua t’ia kujtoj publikut se vendosja e flamurit shqiptar në Mal të Zi është në përputhje me ligjin dhe se Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve ia ka dorëzuar simbolet kombëtare Kryetarit të Kuvendit në vitin 2021, më saktësisht më 28 janar 2021.
Kryetarit të Kuvendit, Aleksa Be?i?, iu dorëzuan etalonet e stemës dhe flamurit, si dhe partitura e himnit të shqiptarëve në Mal të Zi. Delegacioni përbëhej nga Faik Nika, Lindon Gjelaj dhe Genci Nimanbegu.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






