

Greqi, 12 shtator 2026 – Një automjet i djegur është gjetur mëngjesin e sotëm në zonën e Volvës, rreth një orë larg Serresit, në Greqi. Autoritetet dyshojnë se automjeti mund të jetë përdorur nga bashkëpunëtorët e të dënuarit shqiptar Gentian Cipi, pas arratisjes së tij nga spitali i Serresit.
Sipas informacioneve paraprake, një kalimtar ka konstatuar automjetin në flakë rreth orës 06:00 dhe ka njoftuar shërbimin zjarrfikës. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë dhe kanë shuar zjarrin, duke shmangur përhapjen e flakëve në zonën pyjore përreth.
Automjeti i djegur konsiderohet një element me interes për hetimin, pasi autoritetet greke po verifikojnë nëse ai është përdorur si mjet i dytë largimi pas arratisjes. Një nga pistat që po hetohet është edhe mundësia që automjeti të jetë djegur me qëllim eliminimin e gjurmëve.
Më herët, pranë spitalit të Serresit u gjet edhe automjeti i parë që dyshohet se lidhet me arratisjen, një Nissan Navara. Sipas raportimeve, brenda tij u gjetën një armë kallashnikov, një bidon me benzinë dhe targa.
Gentian Cipi, 41 vjeç, ishte transportuar në Spitalin e Serresit me një automjet të shërbimit të burgut. Sipas të dhënave të bëra publike, për transferimin e tij nuk ishte kërkuar asistencë nga Policia greke.
Cipi shoqërohej nga dy të burgosur të tjerë dhe pesë persona të eskortës. Pasi automjeti mbërriti në ambientet e spitalit, disa prej personave zbritën, ndërsa Cipi mbeti brenda mjetit së bashku me një të burgosur tjetër dhe dy pjesëtarë të eskortës.
Në këtë moment, të paktën tre persona të armatosur, të cilët dyshohet se kishin mbërritur me dy automjete, kërcënuan eskortën dhe arritën ta nxirrnin Cipi-n nga automjeti. Më pas, autorët u larguan në drejtim të paditur.
Policia greke vijon hetimet dhe kërkimet për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në arratisje. Automjetet e gjetura dhe provat e sekuestruara po i nënshtrohen ekspertizave, me qëllim rindërtimin e itinerarit të ndjekur dhe përcaktimin e rolit të personave që dyshohet se kanë ndihmuar në arratisjen e të dënuarit shqiptar.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






