Transmetuar më 12-09-2026, 14:31

Një person i dënuar më parë nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) me 2 vite burg për korrupsion është arrestuar nga Policia në Sarandë, pasi dyshohet se ka drejtuar automjetin në gjendje të dehur dhe nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 6 shtatorit në Ksamil. Sipas të dhënave të bëra publike, Nefail Zyko është konstatuar në drejtimin e një automjeti tip “Jeep”, me targa të huaja, i cili ishte parkuar mbi trotuar, pranë një shtylle ndriçimi.

Punonjësit e Policisë janë afruar për të kërkuar dokumentet e identifikimit të personave që ndodheshin në automjet, por ata nuk i janë bindur kërkesës. Në vijim, drejtuesi i automjetit dyshohet se ka tentuar të lëvizë makinën, ndërsa efektivët kanë ndërhyrë për ta ndaluar.

Sipas raportit të shërbimit, Zyko më pas ka kaluar në vendin e pasagjerit, ndërsa një tjetër person, i identifikuar me inicialet A.H., ka marrë drejtimin e automjetit dhe e ka zhvendosur atë në vendin ku ishte parkuar fillimisht.

Për shkak të mosbindjes ndaj urdhrave të Policisë, të dy personat janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Sarandë.

Në komisariat, Nefail Zyko i është nënshtruar testit të alkoolit. Sipas dokumentacionit të çështjes, testi i parë ka rezultuar në masën 0.65 mg/l, ndërsa testi i dytë 0.54 mg/l.

Nga verifikimet e kryera nga Prokuroria rezultoi se Zyko ishte duke vuajtur një dënim me burgim në IEVP Rrogozhinë. Ai ishte dënuar me vendimin nr. 7, datë 25 janar 2025, të GJKKO-së, me 2 vite burg për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.

Sipas dokumentacionit zyrtar, Zyko kishte përfituar një leje shpërblyese nga ora 11:30 e datës 4 shtator deri në orën 11:30 të datës 11 shtator 2026.

Pas ngjarjes, Gjykata e Sarandës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit “Arrest në burg”.

Zyko dyshohet për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Vendimi i gjykatës për masën e sigurimit nuk përbën deklarim fajësie për veprat e reja penale, ndërsa përgjegjësia përfundimtare përcaktohet vetëm me një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit