Transmetuar më 12-09-2026, 13:55

Në prag të shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Bashkimi Europian ka lëshuar një thirrje zyrtare drejtuar të gjitha palëve dhe shteteve që të tregojnë përmbajtje dhe të respektojnë plotësisht vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Përmes një reagimi, Brukseli thekson se vendimi i pritshëm i datës 16 shtator nuk shënon fundin e procesit gjyqësor, pasi të dyja palët, si mbrojtja ashtu edhe prokuroria, kanë të drejtën e ankimit ndaj vendimit të shkallës së parë.

“Në prag të shpalljes së aktgjykimit… u bëjmë thirrje të gjitha shteteve dhe palëve që të respektojnë procedurat gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe vendimin”, thuhet në deklaratën e BE-së.

Mbështetje për institucionin dhe rëndësia e llogaridhënies

Bashkimi Europian ka riafirmuar mbështetjen e tij të kahershme për Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK), duke i cilësuar ato si një institucion gjyqësor të pavarur. Po ashtu, BE-ja ka kujtuar se kjo gjykatë u themelua përmes vendimeve dhe amendamenteve kushtetuese të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, me qëllim garantimin e një procesi të pavarur, të paanshëm dhe të drejtë për pretendimet e krimeve të rënda gjatë dhe pas konfliktit. Sipas Brukselit, puna e këtij institucioni mbetet thelbësore për promovimin e llogaridhënies dhe njohjen e vuajtjeve të viktimave e familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet.

Konteksti i vendimit dhe zhvillimet në Kosovë

Thirrja e BE-së vjen në një moment tensioni dhe pritshmërie të lartë publike, ndërsa sot në Prishtinë po mbahet "Marshi për Liri", një protestë paqësore e organizuar në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, të cilët përballen me një aktakuzë prej 10 pikash për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, është shoqëruar vazhdimisht me kritika të shumta në opinionin publik në Kosovë mbi mënyrën e funksionimit të Speciales. Gjatë muajve të parë të këtij viti, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kërkoi nga 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve, para se çështja të hyjë tashmë në fazën e saj më kritike.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit