Transmetuar më 12-09-2026, 12:56

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Informacioni”, duke goditur një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje. Si rezultat i ndërhyrjes, është vënë në pranga një 30-vjeçar, i cili lëvizte i armatosur, ndërsa është proceduar penalisht edhe një shtetase që ndodhej me të.

Sipas njoftimit zyrtar, operacioni u organizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve, të cilët siguruan informacione policore në rrugë operative se një shtetas qarkullonte i armatosur në qytet. Gjatë ndërhyrjes, në një apartament të marrë me qira në lagjen nr. 11 të Durrësit, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit H. K., 30 vjeç, banues në Durrës.

Gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e dorës (marsup) të 30-vjeçarit, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip pistoletë së bashku me municion luftarak, gati për qitje.

Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit në ambientet e apartamentit ku ndodhej 30-vjeçari, u shoqërua dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasja K. Sh., 28 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila akuzohet për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme mbi veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit