

Një zbulim me peshë të jashtëzakonshme për trashëgiminë kulturore është regjistruar në Luginën e Bulqizës, ku arkeologët kanë nxjerrë në dritë mauzoleumin e parë nëntokësor të periudhës romake të identifikuar deri më tani në territorin e Shqipërisë. Monumenti i madh funerar i përket periudhës mes shekujve III dhe IV pas Krishtit dhe mbart një vlerë të rrallë për arkeologjinë kombëtare, falë elementeve arkitekturore dhe epigrafike që përfshijnë edhe një mbishkrim dygjuhësh.
Struktura e zbuluar përbëhet nga tre ambiente të ndryshme, ndërsa qasja në të realizohet përmes një shkalle monumentale. Monumenti shtrihet në përmasa afërsisht 9 me 6 metra, ndërsa dhoma kryesore e varrimit arrin një lartësi prej rreth 2.4 metrash. Përveç rëndësisë ndërtimore, brenda tij janë gjetur mbetjet skeletore të dy individëve, një burri dhe një gruaje, të cilët ishin të mbështjellë me tekstile të rralla të ndërthurura me fije ari, tregues ky i qartë i statusit të tyre të lartë shoqëror.
Gjatë gërmimeve është zbuluar gjithashtu një inventar i pasur arkeologjik, i cili përfshin enë qelqi, objekte të punuara në kockë, armë të ndryshme dhe fragmente tekstilesh të zbukuruara. Këto gjetje pritet të hedhin dritë të re mbi praktikat funerale dhe organizimin e elitave të periudhës romake në rajon. Zbulimi është realizuar nga një ekip specialistësh, ku bëjnë pjesë arkeologu Erikson Nikolli, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Instituti i Arkeologjisë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






