Transmetuar më 12-09-2026, 10:55

Arratisja spektakolare e një të burgosuri shqiptar mbrëmjen e djeshme nga spitali i Serres në Greqi ka vënë në lëvizje autoritetet helene, duke rikthyer në vëmendje profilin e rrezikshëm të 41-vjeçarit Gentian Çipi, i lindur dhe banues në Dishnicë të Korçës. Ai është një emër i njohur për drejtësinë, me një mori precedentësh të rëndë penalë si në Shqipëri ashtu edhe në Greqi.

Në Shqipëri, Çipi rezulton i dënuar në korrik të vitit 2024 me 2 vjet burgim për veprën penale “shkatërrim i pronës me zjarr”, e kryer në bashkëpunim dhe në rrethana rënduese. Ai ishte akuzuar se më 24 prill 2023 kishte djegur një automjet në lagjen 13, në rrugën “Loni Grazhdani” në Korçë. Ndonëse fillimisht ishte hetuar nën masën e sigurisë “arrest në burg”, Gjykata më vonë kishte vendosur zbutjen e masës në “ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “garancia pasurore”. Më herët, në janar të vitit 2023, në kuadër të operacionit policor “Fijet”, ai ishte proceduar sërish pasi pranë banesës së tij iu gjetën të vendosura kamera në mënyrë të paligjshme.

Veprimtaria e tij kriminale është shtrirë edhe në territorin grek. Më 3 shtator 2024, Gentian Çipi qëlloi me armë zjarri në Pylaia të Selanikut, duke tentuar të vrasë një 25-vjeçar grek jashtë një kantine. Megjithëse i riu grek mbeti i plagosur me tre plumba, ai arriti t’i mbijetojë plagëve, ndërsa Çipi mundi të largohej në atë kohë.

Pas një pune intensive, policia greke arriti ta identifikojë dhe organizoi një operacion të gjerë në shtator të vitit 2025 për kapjen e tij, ku u vunë në pranga edhe dy bashkëpunëtorët e tij nga Korça, Enea Basholli (31 vjeç) dhe Kleo Topa (24 vjeç). Sipas autoriteteve greke, Çipi drejtonte një grup kriminal të përfshirë në trafik droge dhe veprime të dhunshme. Gjatë aksionit për arrestimin e tyre në Selanik, Çipi dhe Topa nuk iu bindën urdhrit të forcave të rendit, duke kryer manovra të rrezikshme dhe duke përplasur një automjet policie para se të braktisnin mjetin dhe të kapeshin më vonë, ndërsa Basholli u arrestua pas pak orësh në Halkidiki.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në kuadër të atij operacioni, policia greke sekuestroi një arsenal të armatosur dhe sende të paligjshme, duke përfshirë 1 armë zjarri Kallashnikov me 30 fishekë, 3 pistoleta, një silenciator, rreth 31 kilogramë marijuanë, dokumente të falsifikuara si pasaporta dhe patenta, 23.350 euro cash, pajisje celulare, si dhe tre automjete. Arratisja e fundit nga spitali i Serres shënon një tjetër kapitull shqetësues në historinë e tij kriminale, duke mbajtur policinë greke në gatishmëri të lartë për kapjen e tij.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit