

Policia greke është vënë në alarm pas arratisjes spektakolare të një të burgosuri shqiptar mbrëmjen e djeshme nga spitali i Serres në Greqi, i cili u largua me ndihmën e bashkëpunëtorëve të tij. Personi në fjalë është 41-vjeçari Gentian Çipi, i lindur në Korçë dhe banues në Dishnicë, një emër i njohur për drejtësinë si në Shqipëri ashtu edhe në shtetin fqinj.
Çipi, i cili konsiderohet nga autoritetet greke si kreu i një grupi kriminal që merrej me trafik droge dhe veprime të dhunshme, ka një histori të gjatë me drejtësinë. Në Shqipëri, ai u dënua në korrik të vitit 2024 me 2 vjet burg për “shkatërrim të pronës me zjarr” në bashkëpunim, pasi akuzohej për djegien e një automjeti në prill të vitit 2023 në Korçë. Më herët, në janar të vitit 2023, gjatë operacionit “Fijet”, emri i tij dolë sërish në skenë pasi policia zbuloi kamera të vendosura në mënyrë të paligjshme pranë banesës së tij.
Veprimtaria e tij kriminale u shtri edhe në Greqi, ku më 3 shtator 2024 qëlloi me armë zjarri në Pylaia të Selanikut, duke plagosur me tre plumba një 25-vjeçar grek jashtë një kantine, për t’u arratisur më pas. Pas një hetimi intensiv, policia greke arriti ta identifikonte dhe organizoi një operacion për kapjen e tij në shtator të vitit 2025. Gjatë atij operacioni, Çipi bashkë me bashkëpunëtorët e tij u përpoqën t’i shpëtonin policisë duke përplasur një automjet zyrtar, por përfunduan në pranga së bashku me shtetasit Enea Basholli dhe Kleo Topa, gjithashtu nga Korça.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në atë kohë, autoritetet greke sekuestruan një arsenal armësh që përfshinte një kallashnikov me 30 fishekë, tri pistoleta, silenciator, rreth 31 kilogramë marijuanë, dokumente të falsifikuara, 23.350 euro cash, si dhe disa automjete. Arratisja e fundit e 41-vjeçarit nga spitali i Serres ka sjellë mobilizimin e madh të forcave të rendit në Greqi për kapjen e tij.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






