

Në ditën e dytë të gjyqit për vjedhjen me dhunë të shtëpisë së portierit të njohur Gianluigi Donnarumma dhe partneres së tij, ngjarje kjo e ndodhur natën e 20-21 korrikut 2023 në Paris, drejtësia franceze ka dhënë vendimet e saj. Ilyas Kherbouch, 21 vjeç, i identifikuar si një nga autorët kryesorë, është dënuar me nëntë vjet burg dhe një gjobë prej 80.000 eurosh.
Gjatë seancës gjyqësore u dhanë vendime edhe për të pandehurit e tjerë të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë. Khyan Mamouni, 22 vjeç, i cili ishte akuzuar nga prokuroria si një nga organizatorët kryesorë të grabitjes, është liruar nga të gjitha akuzat. Ndërkohë, Moktar Diop, 24 vjeç, i cili kishte pranuar përfshirjen e tij dhe kishte vepruar si roje natën e incidentit, u dënua me pesë vjet burg, nga të cilat dy vjet janë pezulluar.
Përpara këtij vendimi, prokuroria kishte kërkuar dënime më të larta, duke kërkuar dhjetë vjet burg për Ilyas Kherbouch, nëntë vjet për Khyan Mamouni dhe gjashtë vjet për Moktar Diop. Gjatë sulmit të dhunshëm në banesën e tyre në Paris, çiftit iu vodhën sende me vlerë totale afro një milion euro. Ngjarja pati pasoja të rënda emocionale dhe fizike, ku partnerja e futbollistit, Alessia, humbi fëmijën e saj pak ditë pas incidentit, ndërsa çifti zgjodhi të mos merrte pjesë fizikisht në seancat dëgjimore të gjyqit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






