

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë ka vendosur pushimin e çështjes penale ndaj tre personave që ishin të dyshuar për përplasjen me armë zjarri të ndodhur në fshatin Rrilë, ngjarje në të cilën mbeti i plagosur shtetasi Agron Puka. Vendimi është marrë nga gjyqtari Lirim Bulica, i cili ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për mbylljen e procedimit penal ndaj Vinçens Tukut, Kevin Ndokës dhe Amarildo Kola (Ndreca).
Ngjarja për të cilën tre shtetasit ishin vënë nën hetim dhe ishin shpallur në kërkim daton mëngjesin e 6 marsit 2024, ku para shkollës 9-vjeçare të fshatit Rrilë pati një shkëmbim armësh zjarri. Prokuroria e Lezhës kishte ngritur fillimisht ndaj tyre akuzat për “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë, si dhe për “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Megjithatë, pas hetimeve të drejtuara nga prokurorja Irena Sufaj, organi i akuzës vlerësoi se gjatë procesit hetimor nuk u siguruan prova të mjaftueshme që t’i implikonin tre të rinjtë në këtë ngjarje kriminale.
Në bazë të këtyre konkluzioneve, drejtuesi i Prokurorisë së Lezhës, Arben Nika, iu drejtua gjykatës me kërkesë zyrtare për pushimin e çështjes dhe heqjen e masave të sigurisë. Me vendimin e datës 09.09.2026, gjykata ka vendosur pushimin e hetimeve për Vinçens Tukun dhe të tjerët, si dhe ka urdhëruar shuarjen e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, e cila ishte caktuar më parë ndaj tyre gjatë muajit mars dhe tetor të vitit 2024.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






