Transmetuar më 12-09-2026, 09:17

Pas një pune intensive hetimore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme "Shqiponja" dhe nën drejtimin e Prokurorisë, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Shëtitësit”. Si rezultat, janë vënë në pranga tre shtetas të dyshuar siautorë të disa vjedhjeve të banesave, ndërsa po punohet për dokumentimin e veprimtarisë së tyre edhe në qarkun e Gjirokastrës.

Në kuadër të këtij operacioni u kapën në flagrancë në qendër të Patosit, duke lëvizur me automjet, shtetasit F. Gj., 43 vjeç, banues në Gjirokastër; D. A., 31 vjeç, banues në Gjirokastër; dhe I. I., 41 vjeç, banues në Tepelenë. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit F. Gj., si dhe gjatë kontrollit të banesës së shtetasit D. A., shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan sasi të lëndës narkotike cannabis sativa.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se këta persona, në datat 5 dhe 6 gusht, në lagjen “1 Maji” dhe në fshatin Dukas të Patosit, kanë vjedhur në dy banesa, ku kanë marrë bizhuteri floriri, 3500 euro dhe dy aparate celularë. Po ashtu, më datë 9 shtator, ata dyshohet se kanë tentuar të vjedhin edhe në dy banesa të tjera në fshatin Zharrëz.

Autoritetet policore, në bashkëpunim me DVP Gjirokastër, po vijojnë veprimet e mëtejshme për të zbardhur dhe dokumentuar plotësisht ngjarjet e tjera ku mund të jenë të përfshirë këta shtetas në qarqet Fier dhe Gjirokastër.

Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit