Transmetuar më 12-09-2026, 08:39

Sipas një analize të detajuar të publikuar nga "Monitor", rajoni i Ballkanit Perëndimor po përballet me një rënie të thellë demografike dhe ulje të nivelit të fertilitetit nën normën e zëvendësimit të popullsisë. Megjithëse qeveritë e rajonit kanë rritur stimujt financiarë dhe bonuset e lindjes, emigracioni i lartë, kostoja e jetesës dhe plakja e popullsisë vazhdojnë të përshpejtojnë tkurrjen e brezave të rinj.

Në periudhën mes viteve 1997 dhe 2025, Shqipëria ka regjistruar rënien më të madhe të lindjeve jo vetëm në rajon, por në të gjithë kontinentin europian. Numri i lindjeve vjetore në Shqipëri ra me 63.5%, nga 61.7 mijë në vetëm 22.5 mijë foshnja.

Pas Shqipërisë, rënie të ndjeshme kanë pësuar edhe Kosova me 48.6%, Maqedonia e Veriut me 46.2%, Bosnjë-Hercegovina me 45.7%, Serbia me 25.4% dhe Mali i Zi me 20.9%. Krahasuar me popullsinë, Shqipëria e ka më shumë se përgjysmuar shifrën, duke zbritur nga 21.7 në 9.6 lindje për 1,000 banorë, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian qëndron në 7.7.

Për t’iu kundërvënë kësaj prirjeje, vendet e Ballkanit Perëndimor zbatojnë skema të ndryshme mbështetjeje financiare. Serbia ofron paketin më të madh financiar në rajon, ku pagesat shkojnë nga 4,260 euro për fëmijën e parë deri në 27,095 euro për të katërtin. Mali i Zi kombinon pagesën e menjëhershme në lindje me një shtesë universale prej 30 eurosh në muaj deri në moshën 18 vjeç, ndërsa Kosova aplikon mbështetje mujore prej 20 deri në 30 euro për fëmijë.

Shqipëria vazhdon të mbështetet kryesisht te "Bonusi i Bebes" prej vitit 2019, me pagesa të menjëhershme prej 40 mijë, 80 mijë dhe 120 mijë lekësh sipas rendit të lindjes. Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina kanë sisteme më të fragmentuara ku përfitimet varen nga niveli i të ardhurave ose pushteti vendor.

Analiza e ekspertëve tregon se stimujt financiarë mund të lehtësojnë kostot e menjëhershme të familjeve, por nuk mjaftojnë për të përmbysur krizën demografike. Pa zgjidhur pasigurinë ekonomike, koston e banesave, mungesën e çerdheve dhe kopshteve, si dhe largimin masiv të të rinjve, bonuset e lindjes kanë një ndikim të kufizuar në vendimin për të krijuar familje.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit