

Një ngjarje e paprecedentë dhe e organizuar me detaje ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në oborrin e Spitalit të Përgjithshëm të Serres në Greqi, ku një i burgosur shqiptar është arratisur pas një ndërhyrjeje të armatosur.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 23:30 gjatë transferimit të të dënuarit nga Burgu i Nigritës drejt repartit psikiatrik të spitalit. Në momentin e mbërritjes, dy automjete me drita të ngjashme me ato të policisë bllokuan mjetin e transportit të burgut.
Personat e armatosur dolën nga makinat, kërcënuan dhe neutralizuan dy rojet e eskortës, duke u marrë atyre edhe armën e shërbimit përpara se të largoheshin me shpejtësi bashkë me të burgosurin.
I arratisuri është një 41-vjeçar shqiptar me rrezikshmëri të lartë, i arrestuar një vit më parë nga Krimi i Organizuar në Selanik për tentativë vrasjeje, si dhe i dyshuar për përfshirje në trafik droge e arme.
Autoritetet helene kanë ngritur pika të shumta kontrolli dhe kanë nisur një operacion masiv kërkimi në të gjithë rajonin për kapjen e 41-vjeçarit dhe grupit të armatosur që orkestroi sulmin.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






