Transmetuar më 12-09-2026, 08:01

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka bërë të ditur zyrtarisht se do të japë dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit në fund të muajit shtator, menjëherë pas kthimit nga punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork që pritet të zhvillohen pas disa ditësh.

Gjatë një konference për shtyp, Vuçiç deklaroi se planifikon ta formalizojë largimin e tij më 25 ose 26 shtator, duke i dhënë fund një pushteti të mbajtur shumë gjatë dhe duke shpërfillur protestat e vazhdueshme që kanë zgjatur më shumë se dy vjet.

Por dorëheqja si President, nuk është fundi politik për Vuçiç, sepse ai duket se po përdor stilin e Putinit të Rusisë, duke këmbyer sërish e sërish, postin e Kryeministrit me të Presidentit.

Pas disa mandatesh si President dhe si kryeministër, Vuçiç po futet në fushatën e zgjedhjeve të parakohshme me synimin për tu bërë pjesë e Parlamentit dhe kreu i qeverisë.

Zgjedhjet e reja janë më 25 tetor dbe ligji serb nuk e ndalon një president që të kandidojë pa dhënë dorëheqjen. Por Vuçiç e ka bërë fushatën e tij duke bërë valë premtimesh kohët e fundit dhe dorëheqjen shihet ta shfrytëzojë si një vlerë të shtuar për shanset e fitores së radhës.

"Sapo të kthehem nga Nju Jorku do të jap dorëheqjen dhe do të bëj fushatë si qytetar privat. Ligji nuk me detyron ta bëj këtë, por është zgjedhja ime. Do ta kaloj muajin e fundit të fushatës si qytetar i thjeshtë," deklaroi Vuçiç për median serbe.

Vendimi vjen pak ditë pasi ai nënshkroi dekretin për shpërndarjen e Parlamentit të Serbisë.

Ndërkohë, drejtuesit e Partisë Progresive Serbe (SNS) kanë konfirmuar se Vuçiç do të kryesojë listën zgjedhore të shumicës në pushtet dhe do të jetë kandidati i saj zyrtar për postin e Kryeministrit.

Më 2014 Vuçiç ishte Kryeministër dhe më 2017 u bë President. Nëntë vjet më pas ai kërkon të rikthehet si shef qeverie duke shfrytëzuar hapësirat ligjore që ndalojnë më shumë se 2 mandate presidenciale, por pa kufizim si kryeministër.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit