

Kryeministri Edi Rama ka sqaruar arsyet e qëndrimit të tij mbështetës ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku pas kërkesës së SPAK-ut për pezullimin e saj nga detyra, duke e cilësuar këtë masë si “absurde” dhe të paprecedentë në historinë politike.
Përmes një interviste, kreu i qeverisë theksoi se reagimi i tij nuk kishte të bënte me mbrojtjen e një emri të përveçëm, por me mbrojtjen e parimit kushtetues të ndarjes së pushteteve. Rama deklaroi se vendimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve për të pezulluar një anëtar kabineti përbën një kapërcim të kompetencave që cenon drejtpërdrejt rolin e Kryeministrit, Parlamentit dhe Presidentit.
"Ata janë pushtet i pavarur për të vendosur sanksione penale nëse ne shkelim ligjin, por nuk janë të pavarur për të vendosur për ne. Aty është vija e kuqe," u shpreh ai, duke nëvizuar se SPAK-u në këtë rast hyri në territorin e ekzekutivit dhe të shumicës parlamentare që ka votuar qeverinë.
Sipas kryeministrit, lejimi i një praktike të tillë do të cenonte vetë sistemin e drejtësisë që po ndërtohet. Ai siguroi se të njëjtin qëndrim institucional do ta mbante për çdo ministër tjetër të kabinetit që do të përballej me një masë të ngjashme pezullimi.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






