

Kursi i këmbimit të Euros me Lekun ka zbritur sot për herë të parë poshtë kufirit të 92 lekëve, duke prekur një minimum të ri historik. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, monedha europiane u këmbye këtë të premte me 91.94 lekë, duke thelluar më tej ciklin rënës që ka marrë ritme të përshpejtuara përgjatë vitit 2026. Që nga fillimi i vitit kalendarik, Euro është zhvlerësuar me 5%, ndërsa me bazë vjetore rënia arrin në 5.3%.
Ekspertët e tregut valutor bëjnë me dije se sezoni i zgjatur veror ka rritur me tej ofertën e bollshme të valutës në treg, ndërkohë që kërkesa për monedhën europiane mbetet e vakët. Ky zhvlerësim ka bërë që Euro të zëvendësohet pjesërisht nga leku vendas në disa prej transaksioneve të brendshme ekonomike, përfshirë edhe tregun e shitblerjes së pasurive të paluajtshme.
Factori kryesor pas këtij forcimi të monedhës kombëtare mbetet përmirësimi i ndjeshëm i Bilancit të Pagesave. Gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2026, deficiti i llogarisë korrente pësoi një rënie prej 40.6%, duke zbritur në vlerën e 361 milionë eurove — niveli më i ulët i regjistruar që prej vitit 2018. Kjo ulje ka ardhur kryesisht si pasojë e rritjes së eksporteve të shërbimeve dhe hyrjeve nga remitancat. Bilanci në tregtinë e shërbimeve shënoi një nivel pozitiv prej 1.79 miliardë eurosh (+12.9%), ku më shumë se gjysma e kontributit erdhi nga turizmi, me 957 milionë euro të ardhura neto.
Një ndikim të drejtpërdrejtë ka dhënë edhe fluksi i investimeve të huaja direkte, të cilat për gjysmën e parë të vitit arritën në 1.144 miliardë euro (+50%). Vetëm në tremujorin e dytë u shënua një rritje prej 86%, e nxitur nga projekte madhore zhvillimore në sektorin e pasurive të paluajtshme, përfshirë investimet në bregdetin e Zvërnecit. Përqendrimi i lartë i këtyre flukseve valutore po vijon të mbajë nën presion kursin e këmbimit, duke zhvlerësuar më tej monedhën europiane kundrejt lekut.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






