

Gjykata e Apelit në Kosovë ka rrëzuar dënimin me nga një vit burgim ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku, dhe nëntë të dënuarve të tjerë në rastin e njohur si “Veteranët”, duke i shpallur të gjithë të pafajshëm.
Vendimi është marrë më 9 shtator, pas ankesave të mbrojtjes ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila në vitin 2025 kishte shpallur fajtorë dhjetë të akuzuarit dhe i kishte dënuar me nga një vit burgim.
Sipas Apelit, Prokuroria nuk ka arritur të provojë përtej nivelit të kërkuar ligjor se të pandehurit kanë keqpërdorur me dashje detyrën zyrtare për t’u dhënë statusin e veteranit persona të cilët nuk i plotësonin kriteret ligjore.
Përveç Çekut, në mesin e të dënuarve që tashmë janë liruar nga akuzat janë edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe Sadik Halitjahan, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte akuzuar ata për keqpërdorim të detyrës zyrtare, duke i lidhur me dëmtimin e buxhetit të shtetit në një vlerë prej më shumë se 88 milionë eurosh.
Në të njëjtin proces, Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj ishin shpallur të pafajshëm. Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi edhe vendimin lirues për ta, pas ankesës së Prokurorisë.
Çfarë pretendonte Prokuroria?
Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special Elez Blakaj, të akuzuarit, të cilët nga viti 2011 deri më 2017 kishin qenë pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dyshoheshin se kishin tejkaluar kompetencat dhe nuk kishin përmbushur detyrat zyrtare.
Sipas Prokurorisë, kjo ishte bërë me qëllim që persona të tjerë të përfitonin në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit, duke shkaktuar dëm ndaj buxhetit të shtetit.
Prokurorët kishin deklaruar se numri i personave që mund të kishin përfituar në mënyrë të jashtëligjshme nga statusi i veteranit mund të arrinte deri në 19 mijë persona.
Megjithatë, Apeli ka vlerësuar se provat e administruara në proces nuk arrinin nivelin e nevojshëm për të provuar se të pandehurit, individualisht dhe me dashje, kishin kryer veprat penale për të cilat ishin dënuar.
Sipas të dhënave të Qeverisë së Kosovës, statusin e veteranit luftëtar e kanë mbi 53 mijë persona, ndërsa rreth 37 mijë prej tyre janë përfitues të skemës së pensioneve për veteranët e luftës.
Veteranët e luftës së viteve 1998-1999, të cilët janë të papunësuar, përfitojnë pension mujor që prej vitit 2015. Pas rritjes me 20 për qind në janar të këtij viti, pensioni mujor për veteranët arrin në 204 euro.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






