

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Administrative lidhur me zhbllokimin e fondeve për rritjen e pagave të magjistratëve, duke e cilësuar vendimmarrjen si një situatë “tejet turbulluese”.
Në një reagim publik, Rama ka kritikuar shpejtësinë me të cilën, sipas tij, Gjykata Administrative ka vepruar për çështjen e pagave, duke e krahasuar atë me kohën që qytetarët presin për shqyrtimin e çështjeve të tyre gjyqësore.
“Sikur Gjykata Administrative të kishte një standard për çdo qytetar apo institucion në vështirësi, me të njëjtën shpejtësi me të cilën veproi sot për të hapur dyert e Thesarit për rritjen e pagave të veta pa miratimin parlamentar, besoj se çdo shqiptar i punësuar do të ishte i gatshëm t’u falte gjysmën e pagës”, shkruan Rama.
Kryeministri e ka konsideruar shqetësuese edhe mënyrën e vendimmarrjes, duke pretenduar se masa është marrë për të mundësuar ekzekutimin e një akti që, sipas tij, mund të jetë në kundërshtim me ligjin dhe interesin publik.
Rama ka ngritur gjithashtu shqetësimin për numrin e çështjeve që, sipas tij, presin prej vitesh për t’u shqyrtuar nga Gjykata Administrative.
Në reagimin e tij, kryeministri ka kundërshtuar edhe kërkesën për fonde nga Thesari i Shtetit pa kaluar përmes Kuvendit. Sipas Ramës, çështja duhet të shqyrtohet nga parlamenti në kuadër të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Dyert e Thesarit të shtetit hapen vetëm nga pushteti i pavarur legjislativ dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë detyrën e tij për këtë çështje”, deklaron Rama.
Kuvendi pritet ta shqyrtojë këtë çështje më 17 shtator, në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






