

PRISHTINË – Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës është përfshirë nga tensionet dhe është ndërprerë, pasi Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka refuzuar të votojë Vlora Çitakun për postin e nënkryetares së Kuvendit, kandidate e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Në vend të Çitakut, Kuvendi zgjodhi Ardian Golën nga radhët e LVV-së si nënkryetar. Pas rrëzimit të kandidaturës, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i kërkoi PDK-së të paraqiste një propozim të ri, kërkesë e cila u kundërshtua ashpër nga deputetët e kësaj partie, të cilët në shenjë revolte braktisën sallën plenare, me përjashtim të deputetit Mërgim Lushtaku.
Reagimi i PDK-së dhe paralajmërimi për Gjykatën Kushtetuese
Pas daljes nga salla, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se partia e tij nuk do të marrë më pjesë në seancat plenare dhe do t’i drejtohet zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese. Hamza theksoi se afatet kushtetuese kanë përfunduar më 7 gusht dhe se aktgjykimi i Kushtetueses për mënyrën e votimit nuk po respektohet, pasi mungon konsensusi i kërkuar.
"Nga sot, PDK nuk ka arsye të marrë pjesë në seancën plenare dhe ne do ta dërgojmë lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Jemi të sigurt që afatet kushtetuese kanë përfunduar më 7 gusht. Sot nuk po e respektojnë aktgjykimin e Kushtetueses për mënyrën e votimit, pasi aty thuhet se duhet të ketë konsensus. Nuk ka konsensus. Ne e votuam kandidatin e LVV, por ata nuk e mbështeten kandidaten tonë," u shpreh Hamza.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






