

TIRANË – Automjeti i ri i përdorur nga Kryeministri Edi Rama nuk është financuar nga buxheti i shtetit, por është marrë me qira dhe fatura mbulohet nga Partia Socialiste. Ky ka qenë qëndrimi zyrtar i qeverisë, i bërë i ditur pas mbledhjes së radhës të Ekzekutivit.
Çështja u trajtua nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, e cila iu përgjigj interesimit të medias lidhur me pronësinë dhe koston e automjetit të ri zyrtar. Sipas saj, vendimi për të kaluar shpenzimet e qirasë te buxheti i partisë vjen pasi automjeti përdoret paralelisht si për axhendën institucionale të Kryeministrit, ashtu edhe për angazhimet e tij politike.
"Makina e kryeministrit është me qira, paguhet nga buxheti i Partisë Socialiste," deklaroi Ismaili gjatë prononcimit të saj.
Krahas aspektit financiar, qeveria ka theksuar se zgjedhja e automjetit është orientuar edhe nga kriteret e sigurisë. Sipas autoriteteve, modeli i ri është përzgjedhur në përputhje të plotë me standardet dhe kërkesat e përcaktuara nga Garda e Republikës për mbrojtjen e figurave të larta shtetërore.
Detajet teknike dhe kostoja e automjetit Makina, e cila mban targën AC 753 ZN, i përket modelit të gjeneratës më të re të Mercedes-Benz, konkretisht versionit S 350 d 4MATIC. Nga verifikimet e kryera në katalogët zyrtarë të prodhuesit gjerman, ky model ka dalë në treg për porosi në fund të muajit janar të vitit 2026.
Çmimi bazë zyrtar në tregun gjerman për këtë version fillon nga 121,356.20 euro (përfshirë TVSH-në 19%, pa llogaritur kostot shtesë të transportit dhe dorëzimit). Modeli përfaqëson linjën e automjeteve luksoze dhe teknologjike të prodhuesit gjerman, e cila shërben tradicionalisht si vitrinë e inovacionit të markës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






