Transmetuar më 11-09-2026, 11:23

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot ndryshime të tjera në kabinetin qeveritar. Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari është larguar nga ky post pak muaj pasi la edhe ministrinë e Drejtësisë më herët, dikaster që e drejtoi edhe atë vetëm për disa muaj.

Ish shefi i policisë kriminale Lamallari, duket se nuk ka dashur më të jetë pjesë e kabinetit qeveritar, duke u larguar nga të dyja ministritë, pas një promovimi të fortë që Rama i bëri këto kohë. Lamallari do të jetë në kryeministri, ndoshta në rolin e këshilltarit, por kjo nuk u bë e qartë nga kryeministri Rama.

Për ministrinë e lënë bosh, Rama nuk solli një emër të ri, por krijoi superministri, duke bashkuar atë të Punëve të Brendshme me atë të Pushtetit vendor. Ministri aktual Ervin Demo, është vënë në krye të kësaj superministrie.

Katapultimi në politikë i Ervin Demos ishte i shpejtë vitet e fundit. Nga zëvendësrektor i Universitetit të Tiranës, ai u fut në politikë duke kandiduar më 2019 për kryetar të Bashkisë Berat nën logon e socialistëve.

Gjashtë vjet më pas, më 2025 ai la bashkinë për tu bërë deputet dhe njëkohësisht me këtë post, mori edhe atë të ministrit për Pushtetin Vendor, në shtator 2025.

Tani, Demo bëhet i pari në kabinet që vihet në krye të një superministrie me dy nga portofolët më të rëndësishëm ministrorë.

Ndërsa u duk se Rama ndërroi Belinda Ballukun me Albana Koçiun si krah të djathtë në qeveri, duket se kjo nuk ndodhi pasi Koçiu është lënë mënjanë dhe me prezencë minimaliste publike.

Ndryshe po ndodh me Demon i cili shihet të jetë kthyer në krahun e djathtë të Ramës, siç ka qenë dikur Arben Ahmetaj që më pas u zëvendësua nga Balluku.

Kjo lëvizje e papritur e Ramës vjen disa muaj para zhvillimit të zgjedhjeve lokale në vend, një test i rëndësishëm për kreun socialist dhe të ardhmen e tij politike. Një humbje e mundshme në zgjedhjet vendore do të ishte disfatë morale për të dhe do të tregonte se elektorati ka ndryshuar dhe për rrjedhojë, mund të çonte në dorëheqje ose zgjedhje të parakohshme parlamentare. /noa.al

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit