

VLORË – Tetë vite pas zhdukjes së 24-vjeçarit Elvis Troqe, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë e ka shpallur zyrtarisht të zhdukur të riun.
Vendimi është marrë më 15 qershor 2026 dhe është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare. Në bazë të vendimit, nëna e tij, Marsela Troqe, është caktuar kujdestare për administrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të djalit të saj.
Elvis Troqe humbi kontaktet me familjarët mbrëmjen e 17 korrikut 2018. Në atë kohë, 24-vjeçari sapo ishte kthyer nga Italia, ku kishte përfunduar një dënim për trafikim të lëndëve narkotike.
Babai i të riut kishte treguar më herët se Elvisi ishte larguar nga shtëpia atë mbrëmje, duke i thënë familjes se do të kthehej shpejt dhe se do t’u bënte një surprizë.
Sipas dëshmisë së tij, familja kishte planifikuar një darkë për ditëlindjen e nuses dhe vjehrrës. Rreth orës 18:40, Elvisi doli nga shtëpia dhe, kur u pyet se ku po shkonte, tha se kishte njohur një vajzë me të cilën dëshironte të fejohej.
Familjarët e kërkuan fillimisht në lokalin ku do të zhvillohej darka, por mësuan se ai ishte larguar me një person tjetër. Pas kërkimeve të para, familja iu drejtua policisë dhe denoncoi zhdukjen.
Sipas të dhënave të bëra publike gjatë hetimeve, në rrugën kryesore Elvis Troqe ishte parë duke përshëndetur drejtuesin e një automjeti tip “Mercedes-Benz”, ngjyrë gri, dhe më pas ishte futur në makinë. Në automjet dyshohet se ndodheshin edhe dy persona të tjerë.
Pas këtij momenti, nuk pati më asnjë gjurmë të 24-vjeçarit.
Rasti ngriti dyshime tek hetuesit se zhdukja mund të mos kishte qenë një largim i zakonshëm. Në atë kohë, Prokuroria e Vlorës bëri me dije se në materialet e referuara ishin konstatuar elemente të veprës penale të “rrëmbimit të personit”.
Gjatë hetimeve u kryen një sërë veprimesh, përfshirë kontrolle në banesën e Inez Hajrullës. Ky i fundit kishte deklaruar se atë pasdite kishte dalë për fizioterapi dhe se nuk kishte njohje me Elvis Troqen.
Pavarësisht viteve të kaluara, fati dhe vendndodhja e Elvis Troqes mbeten ende të paqarta. Shpallja e tij zyrtarisht si person i zhdukur, tetë vite pas humbjes së kontakteve, i hap rrugë edhe administrimit ligjor të pasurisë së tij nga kujdestarja e caktuar nga gjykata.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






