Transmetuar më 11-09-2026, 07:33

Shqipëria po humbet popullsi dhe veçanërisht të rinj, por tkurrja e kësaj grup-moshe nuk po shoqërohet me një lehtësim të tregut të punës. Përkundrazi, të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se numri i të papunëve të moshës 15-29 vjeç është rritur ndjeshëm gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, ndërsa punësimi i tyre ka rënë.

Më 1 janar 2026, popullsia banuese e Shqipërisë zbriti në 2,335,930 banorë, rreth 27.4 mijë më pak se një vit më parë. Tkurrja është edhe më e dukshme te moshat e reja. Krahasuar me vitin 2022, grup-mosha 15-29 vjeç është reduktuar me rreth 62 mijë persona, ose 13.4%.

Por, ndërsa numri i të rinjve po bie, numri i atyre që kërkojnë punë dhe nuk e gjejnë atë po rritet. Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e dytë të vitit 2026 rezultuan 36.7 mijë të papunë të moshës 15-29 vjeç, nga 31.6 mijë në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Brenda një viti janë shtuar më shumë se 5 mijë të rinj të papunë, duke shënuar një rritje prej 16.1%.

Në të njëjtën kohë, numri i të rinjve të punësuar ka shënuar rënie. Nga 177.4 mijë persona në tremujorin e dytë të vitit 2025, numri i të punësuarve të moshës 15-29 vjeç zbriti në 170.3 mijë në të njëjtën periudhë të vitit 2026. Kjo do të thotë rreth 7 mijë të punësuar më pak, ose një rënie prej 4%.

Edhe forca e punës në këtë grup-moshë, e cila përfshin të punësuarit dhe të papunët, ra lehtë, nga 209 mijë në 207 mijë persona.

Llogaritjet mbi të dhënat e INSTAT tregojnë se shkalla e papunësisë te të rinjtë u rrit në rreth 17.7% në tremujorin e dytë të vitit 2026, nga 15.1% një vit më parë. Kjo përfaqëson një përkeqësim me rreth 2.6 pikë përqindjeje.

Ecuria e të rinjve bie në kontrast me pjesën tjetër të tregut të punës. Numri i përgjithshëm i të papunëve në vend u ul me 4.2% brenda një viti, duke arritur në 104.6 mijë persona.

Edhe te grup-mosha 30-64 vjeç u regjistrua një përmirësim, me numrin e të papunëve që ra me 12.1%, ose rreth 9.2 mijë persona. Vetëm te të rinjtë tendenca ishte në drejtim të kundërt.

Si rrjedhojë, të rinjtë po zënë një pjesë gjithnjë e më të madhe të të papunëve në vend. Në tremujorin e dytë të vitit 2025, grup-mosha 15-29 vjeç përbënte rreth 29% të të papunëve gjithsej, ndërsa një vit më vonë kjo peshë u rrit në rreth 35%.

Problemet e të rinjve në tregun e punës lidhen edhe me mospërputhjen mes profileve që ofron sistemi arsimor dhe kërkesave të bizneseve. Në treg vërehet një numër i lartë të diplomuarish në degë tradicionale, ndërsa sektorët privatë raportojnë mungesë të specialistëve në fusha teknike, teknologji dhe zanate të specializuara.

Kjo situatë krijon një paradoks për ekonominë shqiptare: ndërsa vendi humbet mijëra të rinj përmes emigrimit, edhe ata që qëndrojnë përballen me vështirësi për të gjetur një vend pune të qëndrueshëm dhe në përputhje me kualifikimet e tyre.

Largimi i të rinjve, veçanërisht i atyre me arsim të lartë dhe aftësi profesionale, po ndikon jo vetëm në strukturën demografike të vendit, por edhe në tregun e punës. Në kushtet kur një pjesë e të rinjve vijon të shohë emigrimin si alternativë për mundësi më të mira, rritja e papunësisë në këtë grup-moshë mbetet një nga sfidat kryesore për ekonominë shqiptare.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit