

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për herë të parë rreth rrethanave politike dhe historike që çuan në krijimin e Gjykatës Speciale në Hagë. Në një intervistë për emisionin "Top Story", Thaçi ka rrëfyer se në atë kohë Kosova ndodhej "mes dy zjarreve" dhe se vendimi për votimin e gjykatës nga Kuvendi ishte zgjedhja e "së keqes më të vogël".
Sipas Thaçit, shteti i Kosovës përballej me dy rrugë: të themelonte gjykatën në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë, ose të lejonte që ajo të krijohej drejtpërdrejt nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Ai nënvizoi se zgjedhja e bërë shmangu përfshirjen e drejtpërdrejtë të Rusisë dhe Kinës, çka do të përbënte një kthim prapa me pasoja të rënda legale, politike dhe historike për vendin.
Lideri i UÇK-së dhe ish-kreu i shtetit theksoi se vendimi i tij erdhi për të mbrojtur interesin e Kosovës, ndonëse sot po përballet personalisht me pasojat e asaj zgjedhjeje.
"Isha i zotuar nga ana ime të mos i ndodhte asgjë e keqe Kosovës. Tani jam duke paguar çmimin në lëkurën time. Por, kapërcen edhe kjo vështirësi," – u shpreh Thaçi, duke mbyllur mesazhin e tij nga Haga me besimin se kjo sfidë do të tejkalohet.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






