Transmetuar më 10-09-2026, 21:08

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar bilancin e situatës së zjarreve në territorin e vendit, ku raportohen gjithsej 30 vatra të shfaqura gjatë ditës, nga të cilat 7 mbeten ende aktive, 10 janë vendosur nën mbikëqyrje dhe 13 janë shuar plotësisht.

Operacionet në terren po udhëhiqen nga angazhimi i kombinuar i strukturave vendore dhe atyre qendrore. Mbi 400 forca operacionale vendore e lokale me automjete zjarrfikëse, së bashku me mbështetjen e Forcave të Armatosura që kanë vënë në dispozicion efektivë, mjete speciale, dronë dhe helikopterë, ndërhyjnë intensivisht në zonat më problematike.

Përmbledhja sipas qarqeve:

Qarku Tiranë: Vatra në Malin e Dajtit mbetet aktive, ku po operojnë zjarrfikësit, forcat e ADZM-së dhe efektivët e FA, ndërsa vatrat në Malin e Bërzhitës dhe Mali me Gropa janë izoluar dhe mbahen nën vëmendje. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Qarku Dibër: Janë regjistruar disa vatra aktive në Lundre–Madhesh (Mat), Cerrujë–Mali i Allushit (Klos), Selishtë, si dhe një vatër e re në Pleshë (Klos). Vatra në Qafën e Helmes po mbahet nën mbikëqyrje.

Qarku Shkodër: Vatra në Porav (Fushë-Arrëz) vijon të jetë aktive, ndërsa ato në Rragam, malin e Tërbunit janë nën mbikëqyrje dhe vatra në Mnelë të Madhe është shuar plotësisht.

Qarku Fier: Zjarri në Çërrilë (Mallakastër) vijon të jetë aktiv, ku po ndërhyhet nga forcat vendore, pyjore dhe mbrojtja civile, të mbështetura nga një helikopter dhe dhjetëra efektivë të Forcave të Armatosura. Vatra në Peshtan mbahet nën monitorim.

Qarqet e tjera (Lezhë, Elbasan, Korçë): Situata paraqitet më e qëndrueshme me vatrat e shuarja ose nën mbikëqyrje, përfshirë zonën e Oparit në Korçë ku punohet për izolimin e plotë pa rrezik për banesat.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në koordinim të ngushtë me pushtetin vendor, ndërsa kapacitetet operacionale mbeten në gatishmëri të plotë për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit