Transmetuar më 10-09-2026, 15:53

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se procesi i rindërtimit në Tiranë është zvarritur për shkak të situatës së krijuar në drejtimin e Bashkisë së Tiranës pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se qeveria, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, synon të përmbyllë sa më shpejt procesin e rindërtimit dhe t’u japë fund pritjeve të familjeve të prekura nga tërmeti i vitit 2019.

Kryeministri veçoi zonat e Kombinatit dhe 5 Majit, ku një pjesë e familjeve vijojnë të presin zgjidhjen përfundimtare për banesat e tyre.

Sipas Ramës, situata në Bashkinë e Tiranës ka ndikuar në vijimin normal të programeve të rindërtimit.

Rama: “Bashkisë së Tiranës iu pre koka”

Duke folur për situatën e krijuar në kryeqytet, Rama përdori një metaforë të fortë për të përshkruar mungesën e kryebashkiakut Erion Veliaj në drejtimin e bashkisë.

“Që kur Bashkisë së Tiranës iu pre koka për arsye që dihen dhe për mosarsye që nuk dihen, unë mendoj që viktimat e para dhe më të pafajshme të kësaj kokëprerjeje të padëgjuar në historinë e Bashkimit Europian dhe Europës dhe vendeve të Europës”, deklaroi Rama.

Kryeministri e cilësoi situatën si një eksperiment të pazakontë në drejtimin e një kryeqyteti dhe tha se pasojat janë ndjerë edhe te qytetarët.

“Eksperimenti social, legal, ekonomik, politik i drejtimit të një kryeqyteti pa kokë ka sjellë shumë viktima”, u shpreh ai.

Sipas Ramës, dëmet kanë prekur kategori të ndryshme sociale në Tiranë, ndërsa ndër më të prekurat janë familjet që vijojnë të presin përfundimin e rindërtimit.

“Familjet e prekura nga tërmeti janë viktimat më të pafajshme”

Rama tha se familjet që kanë humbur banesat nga tërmeti i vitit 2019 janë ndër qytetarët që kanë vuajtur më shumë nga zvarritja e procesit.

“E kanë paguar me dëme kolosale kategori sociale në Tiranë, ku më e prekura është ajo e familjeve që presin më në fund t’u jepet çelësi, sepse janë viktima të tërmetit”, tha kryeministri.

Ai shtoi se nuk bëhet fjalë vetëm për familjet e prekura nga tërmeti, por edhe për kategori të tjera qytetarësh që, sipas tij, janë përballur me pasojat e situatës së krijuar në drejtimin e kryeqytetit.

Rama e cilësoi këtë situatë si një “eksperiment jashtëzakonisht të rëndë dhe totalisht të dështuar”.

Rindërtimi, Rama premton përmbylljen e procesit

Kryeministri deklaroi se qeveria do të punojë me Bashkinë e Tiranës për të finalizuar procesin e rindërtimit në zonat ku ende ka familje në pritje.

Ai përmendi veçanërisht Kombinatin dhe zonën e 5 Majit, duke paralajmëruar një përshpejtim të procesit.

“Me Bashkinë e Tiranës do të finalizojmë shumë shpejt, nën udhëheqjen e ministrit të pushtetit vendor, planin për t’i dhënë fund historisë së pafundme dhe të pajustifikueshme të rindërtimit. Që nga Kombinati e deri te 5 Maji”, deklaroi Rama.

Formula 30-40-30 për banesat Në fjalën e tij, Rama prezantoi edhe formulën që, sipas tij, do të përdoret për zhvillimin e programeve të strehimit.

“Formula 30-40-40. Pra 30 social, 40 i përballueshëm dhe 30 të tjera shitje për të rigjeneruar para”, tha kryeministri.

Sipas tij, kjo skemë synon që paratë e rikthyera në sistem të përdoren për të financuar procese të tjera ndërtimi dhe rindërtimi.

Rama tha se synimi është që përmes kësaj formule të krijohet një mekanizëm i vazhdueshëm financimi për programet e strehimit dhe rindërtimit.

Në këtë kuadër, kryeministri u shpreh se familjet e prekura nga tërmeti duhet të marrin sa më shpejt çelësat e banesave të tyre, duke e cilësuar zvarritjen e procesit si të pajustifikueshme.

Deklaratat e Ramës vijnë në një moment kur situata e drejtimit të Bashkisë së Tiranës dhe pasojat e arrestimit të Erion Veliajt vijojnë të jenë në qendër të debatit politik, ndërsa qeveria kërkon të përshpejtojë proceset e mbetura të rindërtimit në kryeqytet.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit