

Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka përfunduar me një qëndrim të prerë lidhur me situatën e krijuar për pagat e gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore.
Pas shqyrtimit të situatës dhe qëndrimeve të institucioneve gjatë ditëve të fundit, gjyqtarët u kanë kërkuar institucioneve përgjegjëse dhe Presidentit të Republikës që t’i japin fund menjëherë ngërçit dhe të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gjyqësori paralajmëron se, nëse kërkesat nuk zbatohen, masat do të përshkallëzohen deri në reduktimin dhe kufizimin e përkohshëm të veprimtarisë gjyqësore, duke përjashtuar çështjet urgjente dhe ato që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.
Magjistratja Alda Sadiku u shpreh se gjyqtarët nuk kërkojnë epërsi ndaj institucioneve të tjera, por respektimin e të drejtave që u garantohen nga Kushtetuta dhe ligji.
“Gjyqësori nuk kërkon epërsi mbi institucionet e tjera, por kërkon ato që i takojnë. Vendimi përfundimtar nuk pezullohet, detyrimi ligjor nuk mbahet peng, pagat duhet të zhbllokohen dhe vendimi duhet të zbatohet menjëherë”, deklaroi Sadiku.
Gjyqtarët: Vendimi i Kushtetueses është përfundimtar
Në deklaratën zyrtare, Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve thekson se situata e krijuar nuk përbën një mosmarrëveshje të zakonshme financiare dhe as një konflikt për privilegje.
Sipas tyre, çështja prek drejtpërdrejt autoritetin e Kushtetutës, fuqinë detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe funksionimin e rregullt të gjykatave.
Gjyqtarët theksojnë se vendimi nr. 15/2026 i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe i detyrueshëm për zbatim.
“Asnjë organ shtetëror nuk mund t’i pezullojë, kushtëzojë ose neutralizojë efektet e tij me akt administrativ, me interpretim financiar apo me mosveprim”, thuhet në deklaratë.
Sipas qëndrimit të gjyqtarëve, pas datës 31 korrik 2026 formula e shpallur antikushtetuese nuk mund të vazhdojë të zbatohet.
Ata argumentojnë se mosveprimi i ligjvënësit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese nuk e rikthen në fuqi normën e shfuqizuar dhe nuk krijon një boshllëk në mbrojtjen që neni 138 i Kushtetutës i garanton pagës së gjyqtarit.
“Garancia kushtetuese nuk mund të vihet në pritje deri në një vendimmarrje të ardhshme dhe as të varet nga vullneti i organit që administron fondet publike”, thuhet në deklaratë.
“Thesari nuk mund të shndërrohet në mekanizëm pezullimi”
Gjyqtarët i janë referuar edhe vendimit nr. 435, datë 26 gusht 2026, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke e cilësuar atë si aktin e organit kushtetues përgjegjës për administrimin e sistemit gjyqësor, të miratuar për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tyre, çdo kundërshtim ndaj këtij vendimi duhet të ndiqet vetëm përmes mjeteve ligjore dhe përpara organeve kompetente.
“Derisa të ndryshohet ose të shfuqizohet në rrugë ligjore, ai prodhon pasoja dhe duhet të zbatohet. Thesari nuk ka kompetencë të kryejë kontroll kushtetues apo gjyqësor mbi të dhe nuk mund të shndërrohet nga mekanizëm ekzekutimi në mekanizëm pezullimi”, thuhet në deklaratë.
Gjyqtarët kërkojnë gjithashtu që çdo detyrim i prapambetur të shlyhet pa vonesë, duke iu referuar paragrafit 110 të vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tyre, një detyrim i përcaktuar për një periudhë tashmë të përfunduar nuk mund të mbahet peng nga debati për një periudhë tjetër.
Në ngërç edhe pagat e administratës gjyqësore
Situata ka prekur njëkohësisht edhe administratën gjyqësore.
Sekretarët gjyqësorë, kancelarët, nëpunësit dhe punonjësit e tjerë të gjykatave konsiderohen nga gjyqtarët si pjesë e domosdoshme e funksionimit të drejtësisë.
“Lënia e tyre pa pagë cenon dinjitetin njerëzor e profesional, dëmton funksionimin e gjykatave dhe, në fund, kufizon shërbimin e drejtësisë ndaj qytetarit”, thuhet në deklaratë.
Mbledhja e Përgjithshme thekson se pagesat e administratës gjyqësore nuk janë pjesë e qëndrimit refuzues të Ministrisë së Financave dhe degëve të thesarit për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
“Paga e gjyqtarit është garanci e pavarësisë”
Në deklaratë argumentohet se paga e gjyqtarit është pjesë e statusit kushtetues dhe një garanci konkrete për pavarësinë në ushtrimin e funksionit.
“Ajo nuk është favor i ekzekutivit, shpërblim që jepet sipas vlerësimit të tij apo instrument për të shprehur miratim ose pakënaqësi ndaj vendimmarrjes gjyqësore”, thuhet në deklaratë.
Sipas gjyqtarëve, mbrojtja e kësaj garancie nuk i shërben vetëm gjyqtarit, por edhe qytetarit, i cili ka të drejtë të gjykohet nga një gjyqtar i pavarur nga çdo pushtet tjetër.
Ata theksojnë gjithashtu se buxheti i shtetit duhet të sigurojë funksionimin e të gjitha pushteteve dhe se mungesa e planifikimit, nevoja për rishpërndarje fondesh apo vështirësi të tjera administrative nuk mund ta kthejnë një detyrim kushtetues e ligjor në detyrim fakultativ.
“Në një shtet kushtetues nuk është Kushtetuta ajo që përshtatet me buxhetin; është buxheti që duhet të mundësojë zbatimin e Kushtetutës”, thuhet në qëndrim.
Kërkesat e Mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve
Përballë situatës së krijuar, gjyqtarët kërkojnë:
Zhbllokimin e menjëhershëm dhe pagesën pa asnjë vonesë të pagave të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore. Zbatimin e plotë të vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese, të vendimit nr. 435, datë 26 gusht 2026, të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të urdhrave të nëpunësve autorizues të gjykatave, për aq kohë sa këto të fundit janë në fuqi. Shlyerjen e menjëhershme të detyrimeve të prapambetura, sipas zgjidhjes së përcaktuar në paragrafin 110 të vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese. Miratimin pa vonesë të kuadrit të ri ligjor, në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nenin 138 të Kushtetutës dhe garancitë kushtetuese të statusit të magjistratit. Ndalimin e çdo praktike administrative që pengon funksionimin financiar të gjykatave ose vendos gjyqtarët dhe administratën gjyqësore përballë pasigurisë së përsëritur për pagën e tyre. Marrjen e përgjegjësive institucionale nga çdo organ që, sipas Kushtetutës dhe ligjit, ka kompetencë për të kontrolluar ligjshmërinë dhe për të rivendosur gjendjen e ligjshme. Ndërmarrjen e çdo mjeti ligjor administrativ, civil dhe kushtetues që mundëson ekzekutimin me efekt të menjëhershëm të listëpagesave të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore. Ndërmarrjen e iniciativave për adresimin e situatës pranë organizatave ndërkombëtare, veçanërisht Komisionit Evropian dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, si dhe përfaqësive diplomatike të huaja që mbështesin dhe monitorojnë ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe reformën në drejtësi në Shqipëri. Kërkesë e drejtpërdrejtë për Presidentin
Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve i kërkon Presidentit të Republikës që, në zbatim të kompetencave të tij kushtetuese, të angazhohet për respektimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe garantimin e statusit të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore.
Presidentit i kërkohet gjithashtu të monitorojë me rigorozitet projektligjin e propozuar nga deputetët e Kuvendit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016”.
Sipas gjyqtarëve, ndryshimet e propozuara duhet të jenë në përputhje me frymën, standardet dhe detyrimet që burojnë nga vendimi nr. 15/2026 i Gjykatës Kushtetuese dhe të garantojnë zbatimin e plotë dhe efektiv të tij.
Paralajmërimi për përshkallëzim të masave
Gjyqtarët kanë vendosur gjithashtu të paralajmërojnë institucionet për masa më të forta nëse situata nuk zgjidhet.
“Në rast se nuk veprohet menjëherë nga institucionet përgjegjëse për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ekzekutimin e pagave, masat e ndërmarra nga pushteti gjyqësor do të përshkallëzohen deri në reduktimin dhe kufizimin përkohësisht të veprimtarisë gjyqësore, vetëm në shqyrtimin e çështjeve me natyrë urgjente dhe që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme gjyqësore”, thuhet në deklaratë.
Gjyqtarët theksojnë se kërkesat e tyre nuk janë objekt negocimi, pasi sipas tyre burojnë drejtpërdrejt nga Kushtetuta, ligji dhe një vendim përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese.
“Dialogu institucional është i nevojshëm për të përcaktuar mënyrën e zbatimit, por nuk mund të përdoret për të shtyrë, relativizuar apo vënë në diskutim vetë detyrimin për zbatim”, thuhet më tej.
“Gjyqësori nuk kërkon epërsi”
Në deklaratën përfundimtare, gjyqtarët nënvizojnë se do të vazhdojnë të ushtrojnë funksionin e tyre me përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe me respekt të plotë për Kushtetutën dhe ligjin.
Ata theksojnë se kjo përgjegjësi nuk nënkupton heshtje përballë cenimit të garancive të pushtetit gjyqësor.
Mbledhja mbështet përdorimin e të gjitha mjeteve kushtetuese dhe ligjore për rivendosjen e ligjshmërisë dhe kërkimin e përgjegjësisë, duke deklaruar se do të ruhet në çdo rast paanshmëria e gjyqtarëve dhe e gjykatave që mund të thirren për shqyrtimin e këtyre çështjeve.
“Reagimi ynë do të jetë në një zë të vetëm, i matur në zgjedhjen e mjetit dhe i vendosur deri në zbatimin e plotë të ligjit”, thuhet në deklaratë.
Në përfundim, Mbledhja e Përgjithshme u bën thirrje Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Financave dhe çdo institucioni tjetër përgjegjës që t’i japin menjëherë fund kësaj gjendjeje dhe të përmbushin detyrimet e tyre kushtetuese e ligjore.
Sipas gjyqtarëve, vazhdimi i bllokimit pas këtij qëndrimi të përbashkët nuk mund të konsiderohet më një paqartësi teknike, por do të përbënte vijim të vetëdijshëm të një situate që cenon autoritetin e Gjykatës Kushtetuese, pavarësinë e gjyqësorit dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.
“Gjyqësori nuk kërkon epërsi ndaj pushteteve të tjera dhe nuk pranon nënshtrim ndaj tyre. Kërkon vetëm atë që Kushtetuta urdhëron: që secili pushtet të ushtrojë kompetencat e veta, të respektojë kufijtë e tjetrit dhe t’u bindet vendimeve përfundimtare të drejtësisë kushtetuese.
Kushtetuta nuk negociohet. Vendimi përfundimtar nuk pezullohet. Detyrimi ligjor nuk mbahet peng. Pagat duhet të zhbllokohen dhe vendimi duhet të zbatohet menjëherë.”
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






