Transmetuar më 10-09-2026, 15:44

Gjykata e Kasacionit në Itali ka pranuar rekursin e Prokurorisë dhe ka urdhëruar rishqyrtimin në Apel të çështjes ndaj një 56-vjeçari italian, i dënuar për vrasjen e Nexhat Ramës, 40-vjeçarit shqiptar me origjinë nga Kosova.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 29 gusht 2022 në Cologne, në provincën e Breshias, ku Rama kishte shkuar në servisin e të akuzuarit për t’i kërkuar kthimin e një borxhi prej 30 mijë eurosh.

Sipas rindërtimit të ngjarjes nga hetuesit, 56-vjeçari dyshohet se e ka qëlluar Ramën me armë zjarri në kokë. Më pas, sipas akuzës, ai ka përdorur automjetin e viktimës për të transportuar trupin, ndërsa makina është djegur në përpjekje për të eliminuar gjurmët e krimit.

Trupi i 40-vjeçarit u gjet më vonë në një zonë rurale të Colognes.

Në shkallën e parë të gjykimit, i pandehuri u dënua me 27 vite burg për vrasje me paramendim. Vendimi u ndryshua më pas në Apel, ku gjykata përjashtoi rrethanën e paramendimit, njohu rrethana lehtësuese dhe e uli dënimin në 14 vite burg.

Prokuroria e Përgjithshme e kundërshtoi vendimin e Apelit dhe e çoi çështjen në Gjykatën e Kasacionit. Kjo e fundit ka vendosur që pjesa përkatëse e vendimit të Apelit të rishqyrtohet.

Procesi i ri do të zhvillohet në Gjykatën e Apelit në Venecia, ku do të vlerësohet edhe një herë nëse vrasja e Nexhat Ramës ka qenë e paramenduar.

Prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm, ndërsa mbrojtja e të akuzuarit kishte kërkuar pafajësinë e tij. Tashmë, Gjykata e Apelit në Venecia do të shqyrtojë çështjen dhe do të vendosë nëse do të rikthehet rrethana e paramendimit dhe, si rrjedhojë, nëse dënimi i 56-vjeçarit italian duhet të rëndohet.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit