Transmetuar më 10-09-2026, 15:03

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar këtë të enjte detajet e reformës së re në fushën e strehimit, gjatë prezantimit të Programit Kombëtar të Strehimit për Shqipërinë, “Rilindja 2.0”.

Gjatë fjalës së tij, Rama bëri të ditur se 4 mijë çifte të reja do të përfitojnë një banesë, ndërsa drafti i ri ligjor për strehimin pritet të kalojë së shpejti në konsultim publik dhe më pas në Kuvend.

Sipas kryeministrit, reforma do të mbështetet në gjashtë programe të reja, të cilat do të zbatohen si pjesë e një qasjeje të integruar për strehimin.

“Janë 6 programe të reja, që do t’i adresojmë të gjitha së bashku. Nuk kam parasysh shpikje kur them të reja, por janë të ambalazhuara së bashku në një reformë tërësore”, deklaroi Rama.

Programi i parë lidhet me banesat sociale me qira, ku qeveria synon të përdorë disa mekanizma për të rritur mundësitë e përfitimit. Përveç ndërtimit të banesave të reja, parashikohet blerja direkte nga tregu, përshtatja e objekteve shtetërore apo e objekteve të konfiskuara, si dhe përdorimi i bonusit të qirasë.

“Do të parashikohet ndërtim i ri, blerje direkte nga tregu, përshtatje të objekteve shtetërore ose të konfiskuara. Patjetër edhe bonusi i qirasë. Do të përdorim të gjithë instrumentet!”, tha kryeministri.

Programi i dytë do të fokusohet te banesat me kosto të ulët, përmes subvencionimit nga shteti të kredisë, me synim që familjet përfituese të kenë mundësi më të lehta për të siguruar një banesë.

Në reformë përfshihen gjithashtu programe për përmirësimin e banesave ekzistuese për grupet vulnerabël, ndërhyrjet infrastrukturore në zonat informale dhe përshtatja e banesave për nevoja të veçanta.

Një tjetër komponent i programit lidhet me banesat e përkohshme për personat e prekur nga fatkeqësitë natyrore, ndërsa programi i gjashtë parashikon banesa të përshtatura për familjet dhe individët me aftësi të kufizuara.

“Banesat e përkohshme për të prekurit nga fatkeqësitë natyrore dhe banesat e veçanta është programi i gjashtë, për familjet me persona me aftësi të kufizuara, apo për individët me aftësi të kufizuara”, u shpreh Rama.

Reforma e re pritet të konkretizohet përmes draftit ligjor, i cili do t’i nënshtrohet fillimisht konsultimit publik dhe më pas procedurave parlamentare.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit