

Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka ndërmarrë një qasje të re për t’i dhënë zgjidhje ngërçit shumëvjeçar të pronave pa dokumente, duke nisur verifikimin fizik në terren, “derë më derë”, pavarësisht nëse qytetarët kanë aplikuar apo jo më parë.
Procesi ka nisur nga Palasa dhe do të shtrihet në të gjithë vendin, duke u përqendruar fillimisht në zonat rurale ku problematikat janë më të theksuara, për të vijuar më pas në qytete. Specialistët e Kadastrës do të kryejnë matjet e nevojshme, do të saktësojnë dokumentacionin dhe, për çdo rast që plotëson kriteret ligjore, vendimi do t’i dërgohet qytetarit direkt përmes portalit e-Albania.
Për të garantuar transparencë, qytetarët do të informohen vazhdimisht për statusin e dosjes së tyre, duke u ndarë në tre kategori:
Pajisja me vendim: Rastet kur procesi është mbyllur me sukses.
Plotësim dokumentacioni: Rastet kur kërkohen dokumente shtesë që nuk sigurohen dot nga Kadastra, si për shembull dëshmia e trashëgimisë.
Pamundësi aksesi: Rastet kur ekipet nuk kanë mundur të kontaktojnë banorët në banesat e tyre.
Kadastra u bën thirrje qytetarëve për bashkëpunim dhe prani në banesa gjatë procesit, duke theksuar se pajisja me certifikatë pronësie do t’u sigurojë atyre të drejta të plota ligjore, mundësi investimi dhe transaksionesh.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






