Transmetuar më 10-09-2026, 14:08

Dëgjesa publike e organizuar në Rrajcë mbi Reformën e Re Territoriale është shoqëruar me tensione të shumta dhe është mbyllur para kohe, pas braktisjes nga ana e banorëve vendas. Takimi, i cili kiste si qëllim konsultimin me komunitetin mbi të ardhmen administrative të Bashkisë Prrenjas, degradoi në debate politike për shkak të qëndrimit të mbajtur nga përfaqësuesit e shumicës parlamentare.

Gjatë bashkëbisedimit, banorët e Rrajcës kërkuan një qëndrim të qartë nga deputetët e Partisë Socialiste të zonës, Bora Muzhaqi dhe Olsi Komici, lidhur me planin e ri të riorganizimit territorial. Komuniteti vendas shprehu shqetësimin se çdo variant që parashikon shkrirjen ose tjetërsimin e statusit të njësisë së tyre do të rriste izolidmin e zonës, do të largonte shërbimet publike nga qytetarët dhe do të zbehte përfaqësimin e tyre në vendimmarrjen lokale. Për banorët, ruajtja e funksionimit të autonomisë vendore dhe mbrojtja e identitetit gjeografik e ekonomik të Rrajcës mbeten prioritete të padiskutueshme.

Refuzimi i deputetëve Muzhaqi dhe Komici për t’u pozicionuar me një përgjigje të drejtpërdrejtë "pro" apo "kundër" u prit me reagime kritike nga të pranishmit. Ky qëndrim u interpretua nga komuniteti si një përpjekje për ta reduktuar konsultimin në një procedurë formale burokratike, pa marrë zotime konkrete politike përpara elektoratit.

Në mbështetje të kërkesave të banorëve u rreshtuan deputetët e Partisë Demokratike të pranishëm në takimin konsultativ, të cilët deklaruan qëndrimin e tyre kundër çdo opsioni që parashikon shkrirjen e bashkisë apo zbehimin e funksioneve të saj.

Të zhgënjyer nga mungesa e transparencës dhe refuzimi i përfaqësuesve të shumicës për të mbajtur një qëndrim të qartë publik, banorët e cilësuan dëgjesën të pavlefshme dhe u larguan masivisht nga salla.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit