

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka finalizuar një operacion kundër mashtrimeve kibernetike përmes subjekteve “call center”, duke ekzekutuar tetë masa sigurie dhe shpallur tre persona të tjerë në kërkim. Hetimet kishin nisur pas kontrolleve të mëparshme në subjektin “Bluenergycall shpk” në Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Përgjithshme Bamberg të Gjermanisë.
Sipas hetimeve, skema konsistonte në joshjen e shtetasve gjermanë dhe evropianë për të investuar në platforma mashtruese online. Paratë e depozituara në llogari bankare në vende të ndryshme europiane më pas zhdukeshin përmes transfertave të njëpasnjëshme ose konvertoheshin në kriptovaluta.
Në kuadër të këtij operacioni janë ekzekutuar masat e sigurisë si më poshtë:
Arrest me burg: Për tre persona (Gj., G.Sh. dhe E.P.), të dyshuar për "Mashtrim kompjuterik" në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Arrest në shtëpi: Për dy persona (Gj. K.B. dhe I.G.), për vepra të ngjashme penale brenda strukturës kriminale.
Detyrim për t’u paraqitur: Për dy persona (Gj. dhe Dh.L.), për akuzën e mashtrimit kompjuterik në bashkëpunim.
Operacioni vjen si rezultat i analizimit të thelluar të të dhënave kompjuterike dhe provave elektronike të siguruara që nga kontrollet e vitit 2022, ndërsa autoritetet vijojnë punën për kapjen e tre personave të tjerë të shpallur në kërkim.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






