

Lezhë – Kontroll i përqendruar ndaj automjeteve luksoze, në fokus verifikimi i origjinës së tyre dhe i burimit të pasurisë. Bllokohet 1 automjet tip “Rolls-Royce”, nis hetimi pasuror për pronarin e tij.
Strukturat e Policisë së Lezhës kanë intensifikuar kontrollet ndaj automjeteve luksoze, me qëllim evidentimin dhe verifikimin e mjeteve që dyshohet se mund të jenë përfituar nga veprimtaritë kriminale, si dhe parandalimin e trafikimit të tyre.
Në kuadër të këtyre kontrolleve, strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe të Policisë Rrugore, kanë kryer kontrollin e një automjeti luksoz që kanë konstatuar në qytetin e Lezhës.
Nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare janë kryer verifikime lidhur origjinën, historikun e blerjes, shitjes dhe posedimit të automjetit, mbi pronësinë dhe burimin e të ardhurave me të cilat është blerë automjeti.
Në përfundim të verifikimeve, është kryer bllokimi administrativ i automjetit “Rolls-Royce” per mungesë dokumentacioni dhe ka nisur hetimi pasuror për pronarin e automjetit, shtetasin F. M., banues në Mbretërinë e Bashkuar.
Policia e Lezhës thotë se do të vijojë kontrollet e përbashkëta dhe verifikimet ndaj automjeteve luksoze, me qëllim evidentimin e pasurive me burim kriminal dhe goditjen e pastrimit të produkteve të veprimtarive kriminale.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






