

Një konflikt i nisur fillimisht mes një kamarieri dhe dy vëllezërve, Elidon dhe Florjan Gjeloshi, ka rrezikuar të përfundojë në tragjedi pasditen e 6 shtorit 2026 në fshatin Gomsiqe e Re të Velipojës, ngjarje e cila është dokumentuar edhe nga pamjet shokuese të kamerave të sigurisë.
Sipas hetimeve dhe dëshmisë së pronarit të lokalit “Arval”, Valter Përndrecaj, sherri fillestar kishte ndodhur vetëm një orë para se situata të degjeneronte përfundimisht. Pas konfliktit, kamarieri kishte njoftuar persona të afërt të tij, dhe shumë shpejt në qendër të fshatit është shfaqur një automjet tip “BMW X5” me targa angleze, nga i cili kanë zbritur tre persona.
Pamjet filmike tregojnë qartë momentin kur dy prej tyre hyjnë të armatosur në ambientet e lokalit – njëri i identifikuar si Klevin Nikolli me një armë zjarri kallash AK-47 në dorë, dhe tjetri i njohur vetëm me emrin Gentjan, i armatosur me një pistoletë. Prania e tyre ka shkaktuar menjëherë panik të madh te klientët, të cilët janë larguar me shpejtësi për t’i shpëtuar një përplasjeje të mundshme me armë.
Pronari i lokalit, Valter Përndrecaj, ka rrëfyer momentet e tensionit ekstrem, ku tregon se i është afruar autorit Klevin Nikolli dhe është përleshur fizikisht me të për t’i hequr armën nga dora. Gjatë kësaj përleshjeje, ai ka arritur t’i heqë karikatorin e automatikut, por situata është rënduar më tej kur Nikolli ka nxjerrë nga brezi një armë të dytë, një pistoletë, duke e drejtuar atë në drejtim të vëllezërve Elidon dhe Florjan Gjeloshi, të cilët ndodheshin si klientë në lokal.
Pas largimit të autorëve dhe njoftimit të autoriteteve, policia e Velipojës ka mbërritur në vendngjarje për të nisur veprimet e para hetimore. Materiali i plotë procedural është referuar në Prokurorinë e Shkodrës, ku të dyshuarit do të përballen me akuzat penale për “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Kanosja me armë”.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






