

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video-përmbledhje të raportimeve nga drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në kuadër të nismës “Prania Besnike”, ku theksohet se shqetësimet e qytetarëve po kalojnë direkt në tryezën e qeverisë.
Gjatë takimeve në qarqe, drejtuesit politikë kanë raportuar dhjetëra ankesa dhe dëgjesa me qytetarët. Përfaqësuesja Belinda Balluku bëri të ditur se janë administruar 262 ankesa dhe janë zhvilluar 14 dëgjesa, ndërsa probleme të ngjashme janë evidentuar në Lezhë, Kukës, Tropojë dhe Has, kryesisht lidhur me ASHK-në, legalizimet e banesave para vitit 1991, infrastrukturën dhe procesin e rindërtimit.
Nisma po shoqërohet me standardizim të procesit përmes një formulari të unifikuar për deputetët, përdorimit të Inteligjencës Artificiale për orientimin e ankesave dhe ndjekjes në kohë reale të përgjigjeve nga institucionet përgjegjëse. Sipas Kryeministrit Rama, këto takime u japin qytetarëve hapësirën e nevojshme për të trajtuar problemet e tyre reale larg vëmendjes formale të mediave.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






